Moskë dhe Phenian kanë vënë në funksion urën e parë rrugore që bashkon drejtpërdrejt territoret e dy vendeve, një zhvillim që shihet si tregues i afrimit të mëtejshëm mes tyre.
Të lidhura
None found
Struktura, e cila shtrihet për rreth një kilometër mbi lumin Tumen, lidh Khasanin në Lindjen e Largët ruse me Tumangangun në Korenë e Veriut. Kalimi ndodhet në një zonë të izoluar, me pak banorë dhe pranë vijës bregdetare.
Hapja zyrtare u mbajt të hënën. Kryeministri i Rusisë, Mikhail Mishustin, iu bashkua ceremonisë përmes videolidhjes dhe tha se ura pritet të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh, duke ndihmuar turizmin, ekonominë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Jam i bindur se zgjerimi i infrastrukturës së transportit ndërkufitar do të ofrojë një shtysë të fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tregtar, ekonomik, shkencor, teknologjik dhe kulturor”, deklaroi Mishustin.
Ura është pagëzuar me emrin Yakov Novichenko, oficeri sovjetik i njohur për ndërhyrjen që i shpëtoi jetën liderit themelues të Koresë së Veriut, Kim Il-sung, gjatë një tentative për atentat.
Menjëherë pas ceremonisë, mjete nga të dyja anët e kufirit e përshkuan urën, duke konfirmuar nisjen e funksionimit të saj si lidhje tokësore.
Dy vendet lidhen edhe nga një urë hekurudhore mbi lumin Tumen, e cila njihet me emrin “Ura e Miqësisë” dhe përbën aktualisht kalimin hekurudhor mes Rusisë dhe Koresë së Veriut. Përveç saj, ekzistojnë edhe linja ajrore të rregullta mes Vladivostokut dhe Phenianit.
Pavarësisht përfitimeve të deklaruara ekonomike, projekti ka ngritur pikëpyetje lidhur me përdorimin e mundshëm të urës për nevoja logjistike dhe ushtarake.
Truth Hounds, organizata ukrainase për të drejtat e njeriut, ka paralajmëruar se në të ardhmen kjo infrastrukturë mund të përdoret si korridor për dërgimin drejt Rusisë të trupave koreano-veriore, brigadave të ndërtimit dhe zyrtarëve ushtarakë. Në kahun e kundërt, sipas organizatës, mund të transportohen teknologji dhe burime ruse, çka do ta komplikonte mbikëqyrjen e këtyre lëvizjeve.
Lidhjet mes Moskës dhe Phenianit janë intensifikuar dukshëm pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022. Koreja e Veriut e ka ndihmuar Rusinë me municione dhe, sipas burimeve të cituara në material, ka dërguar mijëra trupa në rajonin Kursk për të mbështetur forcat ruse ndaj inkursionit ukrainas të nisur në vitin 2024.
Si kundërshpërblim, besohet se Rusia i ka ofruar Koresë së Veriut pajisje dhe teknologji ushtarake, mes tyre raketa të mbrojtjes ajrore, mjete për luftë elektronike, dronë dhe teknologji satelitore.
Bashkëpunimi nuk është kufizuar vetëm te sektori ushtarak, por është shtrirë edhe në turizëm. Që prej rihapjes së Koresë së Veriut për turistët rusë në vitin 2024, mijëra rusë kanë udhëtuar drejt këtij vendi, duke vizituar resortet bregdetare dhe pistat e skive.
Afrimi me Phenianin ka nxitur gjithashtu diskutime brenda Rusisë. Gjatë një interviste të fundit, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u pyet për marrëdhëniet e Moskës me aleatët e saj dhe për faktin që Koreja e Veriut dhe Irani konsiderohen ndër partnerët më të afërt të Rusisë. Lavrov e hodhi poshtë këtë këndvështrim, duke thënë se nuk kishte “asgjë të keqe” në një bashkëpunim të tillë.
Ndërkohë, disa aleatë tradicionalë të Rusisë kanë shprehur shqetësime për vijimin e luftës në Ukrainë. Gjatë një takimi me Vladimir Putinin në korrik, presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, i tha homologut rus se shumë liderë po pyesin për arsyet që e shtyjnë Moskën ta vazhdojë konfliktin.
“Natyra e konfliktit nuk është plotësisht e qartë për shumë njerëz, përfshirë edhe ne”, i tha Tokayev Putinit.
