Një Boeing 767-300 Cargo i kompanisë Amazon humbi kontrollin pas uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit dhe përfundoi jashtë pistës, ku u përplas me disa automjete pranë aeroportit.
Përplasja shkaktoi një situatë kaotike, ndërsa avioni mori flakë dhe në zonë u përhapën shtëllunga tymi.
Të lidhura
None found
Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë avionin e madh pranë një rruge, jashtë hapësirës së pistës, teksa flakët përfshijnë një pjesë të tij. Mediat amerikane bëjnë me dije se nga ngjarja ka persona të plagosur.
Departamenti lokal i Zjarrfikësve njoftoi se ekipet e emergjencës gjetën një avion në flakë pas përplasjes. Sipas të njëjtit burim, zjarrfikësit po vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit, ndërsa në vendngjarje janë raportuar shumë të plagosur.
Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) deklaroi se avioni “doli nga pista pasi u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit rreth orës 14:00 sipas orës lokale”.
Avioni ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Luis Muñoz Marín në San Juan të Porto Rikos.
Pas aksidentit, pistat e aeroportit u mbyllën përkohësisht. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të përcaktuar numrin e personave të prekur.
