Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetimet ndaj një punonjësi të Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë, nën dyshimin për veprën penale “Pranimi i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.
Të lidhura
None found
Sipas dyshimeve të prokurorisë, personi në fjalë, i cili shërbente si shofer i një zyrtari të lartë qeveritar, gjatë periudhës 24 korrik–4 shtator të këtij viti i ka kërkuar një qytetari 1.500 euro. Paratë dyshohet se do të përdoreshin në këmbim të ndërhyrjes së tij te zyrtarë të Qytetit të Shkupit për punësim përmes konkursit për pranimin e zjarrfikësve.
Denoncimi është bërë nga qytetari i dëmtuar. Pas njoftimit, Njësia për Luftimin e Korrupsionit në kuadër të Byrosë për Siguri Publike, në bashkëpunim me prokurorin publik kompetent, zhvilloi veprimet e nevojshme për mbledhjen e provave.
Më 4 shtator 2026, i dyshuari u arrestua në flagrancë teksa po merrte 500 euro, pjesë e shumës totale prej 1.500 eurosh. Prokuroria bëri të ditur se paratë ishin shënuar paraprakisht.
Për të dyshuarin u kërkua masa e paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit te dëshmitarët dhe rrezikut që të përsëriste veprën penale. Gjykatësi i procedurës paraprake e miratoi kërkesën dhe caktoi 30 ditë paraburgim.
Ministria e Punëve të Brendshme kishte njoftuar më herët se D.C., i punësuar si shofer në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë së RMV-së, ishte ndaluar pasi u kap duke pranuar para të shënuara paraprakisht.
Prokuroria vlerëson se raportimi në kohë i rasteve korruptive dhe bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet janë me rëndësi të veçantë.
Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo kërkesë apo ofrim ryshfeti, si dhe rastet e ndikimit të kundërligjshëm. Sipas Prokurorisë, denoncimet e tilla ndihmojnë në reagimin e shpejtë, sigurimin e provave dhe marrjen e masave efikase nga institucionet kompetente.
