Mitrovica, një qytet i ndarë (VIDEO)

Në urën e Ibrit që ka mbi supet e saj mbi një mijë incidente në periudhën që prej luftës së Kosovës, nuk ka më pengesa betoni, megjithatë në anën jugore dhe atë veriore të saj qëndrojnë sërish automjete të KFOR-it dhe policisë, një pasqyrim i hidhur i realitetit të ndarjes etnike.

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga përfundimi i luftës, Mitrovica vazhdon të mbetet qytet i ndarë, me shqiptarë në jug dhe kryesisht me serbë në veri.

Ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila është në fakt ndër të vetmet pika takimi të qytetit, simbolizon pikërisht ndarjen e tij.

Mitrovica është e pllakosur nga papunësia, problemet ekonomike e sociale, por edhe ato të infrastrukturës e të ngjashme me to. Me këto situata përballen çdo ditë banorët e saj.

E ndërsa banorët i ka pushtuar pesimizmi për situatën ekonomike, Florentina Hajra nga shoqëria civile, situatën e sheh pak më ndryshe.

Sipas saj, krahasuar me të kaluarën kur gjithçka ishte e politizuar, vëmendja e qytetarëve tashmë ka kaluar tek problemet e përditshme, çka bën të harrohen deri diku ndasitë nacionaliste.

/tch/


Shtuar 2.01.2020 21:16