Tronditet Seria A, klubi njofton një ditë pas ndeshjes: Kemi 14 persona me COVID-19

Seria A mban frymën, pasi starti i saj mund të penalizohet ndjeshëm, për shkak të një infetimi masiv me COVID-19 në radhët e një prej skuadrave të elites.

Klubi i Xhenoas, një ditë pas ndeshjes së luajtur kundër Napolit, të cilën e humbi me shifrat 6-0, ka bërë të ditur se në testet e kryera sot kanë rezultuar pozitiv 14 persona mes lojtarëve dhe stafit.

“Xhenoa komunikon se pas kontrolleve ditore, numri i personave që rezultuan pozitiv ndaj COVID-19 është rritur në 14, mes pjestarëve të skuadrës dhe stafit. Klubi ka aktivizuar të gjitha procedurat që parashikohen nga protokolli në fuqi dhe ka informuar autoritetet”, shkruhej në komunikatën e shkurtër të Xhenoas rreth kësaj ngjarje.

Tashmë ndeshjet e radhës të këtij klubi janë në dyshim, e jo vetëm, pasi paniku ka përfshirë edhe napolitanët të cilët u ndeshën të dielën pasdite me Xhenoan dhe e kanë pritur në stadiumin e tyre. Sipas mediave italiane, të gjithë lojtarët dhe stafi i Napolit i janë nënshtruar tamponëve dhe presin përgjigjen për të mësuar nëse ka të infektuar mes tyre. /


Shtuar 28.09.2020 20:37