Sulmuesi shqiptar i Chelsea bën hapin e rëndësishëm, huazohet tek Vitese

Armando Broja zhvilloi një sezon mjaft të mirë këtë që sapo lamë pas, ku shënoi 19 gola në 31 ndeshje të zhvilluara me Chelsean U19 dhe atë U23, si dhe duke debutuar në kampionatin anglez me skuadrën e parë të drejtuar nga Franck Lampard.

Sulmuesi 19-vjeçar shihet si një nga elementët më premtues në klubin londinez, që ka vendosur ta huazojë te klubi satelit i Chelseat, në Holande, Vitesse Arnhem, që gjithashtu është në pronësi të manjatit rus Roman Abramovich.

Vendimi tashmë është marrë dhe shumë shpejt sulmuesi shqiptar pritet të transferohet në Holandë e të nisë përgatitjet me Vitessen, ndërsa në kampionatin holandez do të ketë mundësi të rritet edhe më shumë dhe ta përdorë si trampolinë për t’u rikthyer sërish në Premier League, këtë herë me një tjetër status.

Kujtojmë që te Vitesse ka luajtur edhe sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, i cili numëron 100 takime me fanellën e kësaj skuadre dhe 15 gola të shënuar, para se të bënte hapin e madh drejt Bundesligës gjermane.


Shtuar 18.08.2020 07:18