Ndeshja e futbollit shkakton përleshje në burg me 16 viktima

16 të dënuar humbën jetën dhe 5 të tjerë u plagosën rëndë, pas përleshjeve mes të burgosurve në një burg në Meksikë. Kjo ngjarje e rëndë konsiderohet si një ndër aktet më të dhunshme në sistemin e burgjeve në vend që kur presidenti Andres Manuel Lopez Obrador mori detyrën.

Dhuna shpërtheu pasditen e së martës në qendrën rajonale të riintegrimit social në qytetin e Cieneguillas, i cili ndodhet në perëndim të shtetit Zacatecas. Mediat lokale raportuan se përleshjet u shkaktuan pas një ndeshje futbolli.

Ministri i Sigurisë Publike, Ismael Camberos, përmes një deklarate për shtyp premtoi një hetim të gjerë për këtë ngjarje të rëndë, pasi në momentin e përleshjeve mes të dënuarve i gjithë stafi i burgut ka qenë në krye të detyrës. Ai nuk komentoi shkaqet e përplasjeve, por siguroi se situata në burg është nën kontroll.

Pas kontrolleve që u zhvilluan më pas në qelitë e të burgosurve u gjetën 4 armë zjarri dhe shumë thika. Mbi 120 të dënuar u zhvendosën në burgje të tjera për të shmangur përleshje të reja.

Sipas të dhënave, në burgun e Cieneguillas ndodhen anëtarë të 5 grupeve kriminale, duke përfshirë këtu Kartelin e Gjirit, Kartelin Sinalo dhe Gjeneratës së Re në Jalisco.


Shtuar 2.01.2020 13:16