Muça: E respektojmë Kukësin por më shumë respektojmë veten tonë

Gentian Muça nuk mundi të ishte në fushë në ndeshjen e fundit kur Tirana u ndal në barazim përballë Skënderbeut.

Megjithatë, mbrojtësi tashmë është në dispozicion të trajnerit Egbo, ndërsa në një prononcim për Supersport ka folur në prag të përballjes me Kukësin.

Muça thekson se i respektojnë rivalët por më shumë respektojnë veten e tyre. Sipas, 32-vjeçarit ekipi që do dalë më mirë nga kjo sfidë, do jetë edhe pretendenti kryesor për titullin.

Ndalesa ndaj Skënderbeut? “Nuk do të thotë asgjë, pasi më parë kemi barazuar edhe me skuadra që tashmë e kanë prerë biletën për në Kategorinë e Parë. Ne e prisnim që një ditë do të ndaleshim dhe fakti që kjo erdhi pas 7 apo 8 fitoresh, do të thotë që nuk duhet përjetuar si dramë”. Ndeshja me Kukësin vendimtare? “Mendoj se është shumë herët për të thënë vendimtare për fatet e sezonit, por kjo ndeshje do të jetë një test për të dyja skuadrat dhe ajo që do dalë më mirë, do jetë favorite kryesore për titullin”.

Humbje me Kukësin në dy fazat e para? “Në “Elbasan Arena” kemi qenë ne dominuesit, ndërsa në ndeshjen tjetër kemi qenë në avantazh, por më pas patëm probleme me dy lojtarët kryesorë. Ekipi i Kukësit është mjaft i mirë dhe ne e respektojmë, por më tepër do të respektojmë veten tonë”.

Më shumë tifozë të Tiranës në Air Albania? “Sigurisht që do të ketë më shumë tifozë të Tiranës në shkallët e stadiumit dhe ky është një bonus për ne, pasi kemi gjithmonë përkrahjen në numër të madh të fansave bardheblu”. Rikthim te titulli? “Shpresa nuk vdes kurrë dhe shpresoj që të bëhemi të gjithë bashkë, që kjo gjë të realizohet”, u shpreh Muça.


Shtuar 18.02.2020 16:05