Lazio akuzon Juventusin dhe Interin: Duan që të mbyllet kampionati

Lazio ka “ndezur” një debat në distancë me klubet e veriut të Italisë, në lidhje me ndërprerjen e kampionatit për shkak të përhapjes së koronavirusit, pasi klubi bardhekaltër ka kërkuar vazhdimisht që të lejohet të bëjë stërvitje normalisht, duke qenë se Roma nuk është “vatër e nxehtë” e Covid-19.

Vetë Claudio Lotito kërkoi që Lazio dhe klubet e tjera në jug të vijonin stërvitjen, por në video-konferencën e Ligës kjo u kundërshtua ashpër nga Interi, Juve dhe klube të tjera në veri, ku është e pamundur stërvitja, për shkak të masave të ashpra të izolimit.

Së fundi “benzinë zjarrit” i ka hedhur zëdhënësi i klubt kryeqytetas, Arturo Diaconale, i cili ka deklaruar se klubet e veriut të Italisë, si Juventus dhe Inter janë ato që kanë interes të anulohet kampionati.

“Juventus dhe Inter kanë interes të anulohet sezoni dhe pastaj egoist del Lotito. Juventus u dha leje lojtarëve të largohen nga Italia, pa pasur një datë për kthimin e tyre, ndërsa së fundi të njëjtën gjë po bën edhe Interi. Imagjinoni pak nëse vendoset për rifillimin e stërvitjes, këta lojtarë duhet të qëndrojnë edhe për 14 ditë të tjera në karantinë, kur të kthehen në Itali”, tha zëdhënësi i Lazios.

Diaconale vijoi fjalën e tij, duke thënë se Lotito e De Laurentiis duan që kampionati të përfundojë me çdo kusht, për të shmangur humbjet ekonomike, ndërsa disa klube, kanë gjetur aleatë edhe te skuadrat që rrezikojnë rënien dhe po kërkojnë anulimin e kampionatit.

“Bëjnë ironi me Lotiton dhe e quajnë “virolog”, kur thotë se kampionati ka gjasa të rifillojë sa më shpejt, ndërsa më pas janë vetë Agnelli e Elkan, që shfaqen si specialist, duke parashikuar se kjo situatë do të vijojë deri në fund të pranverës, madje edhe në verë”, u shpreh Diaconale.


Shtuar 26.03.2020 19:50