Klubet e Serie A kundërshtojnë protokollin: Është jopraktik dhe i pakuptimtë

Të paktën nëntë klube të Serie A, duke përfshirë Interin, Milanin dhe Napolin, po refuzojnë të rifillojnë stërvitjet grupore të hënën nëse protokolli mjekësor nuk ndryshohet.

Raportime të shumta në Itali kanë bërë të ditur se klubet e Serie A si dhe Asociacioni i Lojtarëve dhe i Agjentëve po rebelohen ndaj protokollit për të cilin janë marrë vesh Federata italiane dhe qeveria këtë javë.

Brengat e tyre kanë të bëjnë me kërkesën për izolim automatik prej 15 ditësh për të gjithë grupin nëse një lojtar apo anëtar i stafit preket nga COVID – 19.

Klubet dhe lojtarët duan të ndjekin modelin e Bundesligës, ku parashikohet të izolohet vetëm personi që është pozitiv. Më pas do të bëhen teste për t’u siguruar që virusi nuk është shpërndarë.

Stërvitjet në grup pritet të vazhdojnë të hënën, por skuadrat nuk do të kenë pengesa rrugës vetëm nëse nuk shfaqet asnjë rast.

Te Interi kanë thënë se protokolli është jopraktik dhe i pakuptimtë.

“Nuk dua të shkaktoj kundërthënie por me rregullat e vendosura nuk mund të kthehemi në stërvitje. Ne kërkojmë që të ketë ndryshime, pasi nuk kemi alternativë”, ka thënë drejtori i Interit, Beppe Marotta.

Sipas Football-Italia droja është për atë se nëse një person infektohet, i tërë edicioni mund të anulohet sërish.

Interi, Milani, Napoli, Fiorentina, Cagliari, Verona, Atalanta, Sampdoria dhe Genoa po refuzojnë të vazhdojnë stërvitjet të hënën me kushtet aktuale. Këto klube kërkojnë që të ndryshohet protokolli para se të vazhdojnë me stërvitje grupore.

Brenga tjetër është që qeveria e ka opsionin të suspendojë edicionin apo të lëviz datën e rifillimit që aktualisht është 13 qershori.

Federata tani është në presion që të ndryshojë protokollin mjekësor për të cilin është pajtuar ditë më parë.

Mjekët e klubeve ankohen që nuk janë konsultuar fare kur protokolli është nënshkruar me qeverinë.

Serie A ka konfirmuar se nesër do të takohet me Federatën për të gjetur zgjidhje për protokollin në të kundërtën stërvitjet nuk do të rifillojnë.


Shtuar 14.05.2020 21:26