Hoxha bën moviolën: Nuk ishte faull te goli i parë

Rustem Hoxha e pranon se Teuta sot ka qenë me fat që ka siguruar finalen e Kupës, por nuk beson se episode që e ndihmuan kanë qenë ato të dy golave.

Kuksianët kanë protestuar për dy golat e pësuar duke i cilësuar të parregullt por Hoxha në “SuperSport” komentoi pamjet dhe nuk i shihte si të tillë.

“E donim këtë kualifikim se siç është 100-vjetori i klubit, duam t’i bëjmë një dhuratë qytetit tonë. Dhamë gjithçka dhe me pak fat u kualifikuam në finale. Te goli i shënuar ishte kënaqësi e madhe, shyqyr fituam dhe u kualifikuam.

Në ndryshim nga kampionati, pësuam dy gola shumë shpejt dhe Kukësi është ekip me shumë cilësi që të hap shumë probleme. Ndeshja e dytë ndryshoi se ishte finale për ne, e donim patjetër këtë kualfikim, besoj se dy golat që pësuam dhe lodhja ndikoi në ndeshjen e kampionatit.

Nuk besoj se te goli i parë është faull i Çyrbjes, se nuk ka intensitet dora. Ndoshta kam qenë pak i avancuar, ndonjë pëllëmbë, te goli i anulluar. Për mua është e vështirë të dalloj nëse jam apo jo te goli i fitores në pozicion jashtë loje. Është edhe dora e Krasniqit por nuk di të them nëse jam apo jo”, shpjegoi Hoxha. /vipsport.al/


Shtuar 15.07.2020 21:35