“Futbollistët janë tradhtuar nga qeveria dhe nga FSHF-ja”

Në këtë periudhë pandemie, ata që po e ndjejnë më tepër krizën janë futbollistët, të cilët janë braktisur nga qeveria.

Në një farë mënyre, lojtarët e klubeve shqiptare janë ndihmuar nga Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë.

Kreu i Sindikatës, Andi Lila, në një lidhje direkte në Syri TV në emisionin e drejtuar nga Enkeleida Zeko deklaroi është e nevojshme që në vendin tonë të firmoset një kontratë kolektive, ku sipas tij do të mbroheshin të drejtat e futbollistëve.

Vështirësitë – Si kryetar e vetmja vështirësi është mungesa e komunikimit me FSHF-së për kontratën kolektive. Është e nevojshme që në Shqipëri të ketë kontratë kolektive, ku futbolli të funksionojë si duhet. Kjo bëhet që futbolli shqiptar të afrohet me vendet e rajonit. I kemi dërguar letra zyrtare FSHF-së për kontratën kolektive, por nuk kemi marrë përgjigje.

Ndihma financiare – Të jem i sinqertë, ndihmën e FSHF-së për futbollin e kemi vlerësuar. Por, nga takimet me futbollistët e Kategorisë së Dytë, ata thonë se ndjehen të tradhtuar nga shteti, nga qeveria. Klubet që janë të bashkive, nuk kanë paguar me pretektin që futbollistët janë të Federatës, ndërsa nga ana tjetër, Federata thotë që lojtarët janë të qeverisë. Ne si Sindikatë kemi krijuar një buxhet për futbollistët në nevojë, ku kanë ndihmuar ish-futbollistë të Kombëtares, të cilët nëpërmjet emisionit tuaj gjej rastin t’i falenderoj, siç janë Besnik Hasi, Erjon Bogdani, Ardian Aliaj, Armend Dallku, Ervin Skela, Foto Strakosha, Xhevahir Sukaj e disa të tjerë. Me donacionet e tyre kemi krijuar një fond dinjitoz, për t’i ardhur në ndihmë futbollistëve.

Kriza financiare – Problemi më i madh në këtë moment janë problemi me pagesat. Presidentët e klubeve kanë vendosur të mos paguajnë. Duhet që presidentët të rishikojnë kontratat. Pjesa më e madhe nuk duan të jenë korrekt. Duhet të ulen në këtë kohë pandemie, të bien dakord me lojtarët që të ketë reduktim page, jo të marrin vendim të njëanshëm që të mos paguajnë.

Rifillimi i kampionatit – Të jem i sinqertë nuk do të jetë e lehtë, duke parë edhe këtë kohëzgjatje. Në karrierën time nuk kam qëndruar kaq gjatë pushim. Futbollistët do të kenë probleme me përshtatjen. Duhet të ketë një kohë minimumi 3-javore për t’u përgatitur, në të kundërt do hasin dëmtime. Personalisht kam filluar të stërvitem, nëse gjuri do të më përgjigjet, do të vazhdoj të luaj për Tiranën. Në shtator të shohim, duke parë dhe duke bërë nëse do ta vazhdoj karrierën apo jo.


Shtuar 8.05.2020 17:46