Edi Reja tregon transformimin e Berat Gjimshitit

Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, italiani 74-vjeçar ka komentuar edhe situatën e Berat Gjimshitit, një prej qendërmbrojtësve titullarë të skuadrës italiane. Jo vetëm kaq, por trajneri i Kombëtares ka komentuar edhe situatën e masave me të cilat po bëhet gati që të rifillojë futbolli në Serinë A.

GJIMSHITI – “Një nga lojtarët e Shqipërisë tashmë është shndërruar në garanci për Atalantën. Berati është bërë shumë i zoti. De Zerbi ishte ai që i dha mundësinë dhe besimin në fillim te Benevento. Sot është një tjetër mbrojtës në krahasim me atë kur erdhi në janar 2016 kur isha unë në pankinë. Me trajnerin Gasperini u konfirmua dhe bëri hapin e madh”, tregon trajneri i Kombëtares për qendërmbrojtësin shqiptar të bergamaskëve, duke qenë se po bën një sezon fantastik, në Serinë A dhe në Ligën e Kampioneve.

RIFILLIMI – “Jam pro grumbullimit dhe izolimit të skuadrave në hotele. Sipas meje, të shkojnë për të fjetur në shtëpi duke bërë udhëtimin shtëpi-qendër stërvitore disa herë në ditë, më duket se është një rrezik që fare lehtë mund të shmanget me këtë zgjedhje për grumbullimin”, është përgjigjur Reja referuar masave të propozuara në Itali, ku çdo skuadër duhet të qëndrojë në grumbullim në një hotel, për të shmangur riskun e infektimit të lojtarëve.


Shtuar 13.05.2020 11:48