CIES: Liverpool ekipi më i shtrenjtë në botë (FOTO LAJM)

Observatori i Futbollit CIES, në botimin e kësaj jave ka marrë përsipër të renditë klubet nga pesë ligat më të forta të futbollit në Europë në bazë të vlerës së tregut të lojtarëve që kanë nën kontratë. Analiza merr në konsideratë 20 lojtarë për klub me vlerat më të larta, sipas algoritmit të zhvilluar ekskluzivisht nga ekipi i studiuesve të CIES.

Me një vlerë të përgjithshme prej 1.4 miliardë eurosh, renditjen e kryeson Liverpooli. Skuadra e drejtuar nga Jürgen Klopp tejkalon Manchester City-n, dy gjigantët spanjollë (Barcelonën dhe Real Madridin) dhe Chelsea-n. Bie në sy rritja e vlerës së “bluve” të Londrës falë shpërthimit të shumë talenteve të rinj, pas pezullimit të merkatos nga FIFA.

Dominon në “top-10” Premier League me plot 5 ekipe, La Liga përfaqësohet nga Barcelona, Real Madridi dhe Atletico Madridi, ndërsa Ligue 1 dhe Seria A kanë nga vetëm një përfaqësues, respektivisht PSG-në dhe Juventusin.

Asnjë skuadër gjermane në “top-10”, madje ekipi më “i shtrenjtë”, Borussia Dortmundi, mban vendin e 12-të, një më lart se Bayerni.


Shtuar 17.03.2020 12:11