Ancelotti në shënjestër të autoriteteve tatimore në Spanjë, akuzohet për evazion fiskal

Carlo Ancelotti në shënjestër të autoriteteve tatimore në Spanjë. Sipas medieve iberike, në fakt, tatimet e Madridit kanë paraqitur një ankesë kundër teknikut aktual të Evertonit për një evazion të pretenduar të mbi një milion eurove (për të qenë të saktë 1 062 079 euro) gjatë periudhës dyvjeçare 2014-2015, kur Ancelotti stërviti Realin.

Akuzat janë mjaft të rënda dhe shqetësuese dhe lidhen me shmangien e taksave nga shpërblimet që ka marrë si trajner, kryesisht me shumat që ka përfituar nga drejtat e imazhit.

Sipas hetuesve, Ancelotti ka përdorur një rrjet kompleks ndërmarrjesh me zyra në parajsat fiskale, për të fshehur një pjesë të të ardhurave me qëllim shmangien e taksave. Tekniku italian është personazhi i fundit i njohur i futbollit që ka përfunduar në “rrjetën” e autoriteteve spanjolle.

Rastet që bënë më shumë bujë ishin natyrisht ato të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, më dy “yjet” e futbollit që janë detyruar të paguajnë shuma marramendëse për të mbyllur problemet me drejtësinë spanjolle.

Sidoqoftë, lista është shumë e gjatë dhe përfshin, për shembull, José Mourinhon, Radamel Falcaon, Alexis Sanchezin, Diego Costan, Javier Mascheranon, Marcelon, Angel Di Marian, James Rodriguezin, Mesut Ozilin dhe shumë të tjerë. Në shumicën e rasteve, procedurat përfunduan me një marrëveshje, pra pranimin e fajësisë dhe pagimin e një kuote të caktuar si dëmshpërblim.


Shtuar 22.06.2020 11:25