Xhaferraj ironizon kandidimin e Ramës në Durrës: Po i shpëtoi Burrelit, do t’i mbetet Surrelit

Kreu i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferraj ka denoncuar qeverinë lidhur me fondin e rindërtimit.

Nga lagja numer 1 në Durrës, ai është shprehur se banorët ndihen të revoltuar pasi fondet nuk janë ndarë në bazë të nevojave, por në bazë të korrupsionit.

Sipas Xhaferrajt, i kanë dhënë banorëve nga 5 milionë lekë të vjetra, kur duan nga 15 a 20 milionë.

“Drama e Durrësit ishte shumë e rëndë dhe për këtë duhej mbështetja e menjëherëshme e qeverisë. Por në të vërtetë mbështetja e qeverisë ishte sa e vonuar aq edhe e korruptuar.

Kemi shkuar edhe i kemi kontaktuar. I kanë dhënë banorëve nga 5 milionë lekë të vjetra, kur duan nga 15 a 20 milionë. Prandaj banorët janë të revoltuar se fondet nuk janë ndarë në bazë të nevojave, por në bazë të korrupsionit. Këtë kishte parasysh edhe ambasadorja Yuri Kim”, tha ai.

Më tej lidhur me kandidimin e kryeministrit Rama në qarkun e Durrësit për deputet, ai ka shtuar: “Për mendimin tim Rama nqf se i shpëton Burrelit, do i mbetet Surrelit”.


Shtuar 26.09.2020 09:54