Vetëvrasja e të infektuarve me COVID-19, psikiatrja: Lëruni telefonat

Mbrëmjen e djeshme një 65-vjeçari i infektuar me koronavirus i dha fund jetës duke u vetëhedhur nga kati i katërt i Sanatoriuit, duke përsëritur tragjedinë.

Ai ishte pacienti i dytë që vetëvritej brenda pak javësh pas rastit të 29-vjeçarit nga Durrësi në muajin gusht. Por për çfarë ndodh një gjë e tillë, çfarë masash duhet të merren dhe cila është zgjidhja?

Në një intervistë për Abcnews.al, psikiatrja Arjana Rreli analizon shkaqet që çuan pacientët drejt këtij akti ekstrem, ndërsa kërkon që në spitalet COVID të vendosen psikologët dhe punonjësit socialë. Rreli thotë se pacientët kanë nevojë që të dëgjohen, ndërsa shton se është e domosdoshme që t’u lejohen telefonat.

Psikiatrja thotë se koha e amplifikon ankthin duke e çuar deri në panik për disa persona, të cilët nuk arrijnë ta përballojnë. “E para, koha që kalon për disa njerëz që janë me mekanizma të brishta, të përpunimit të informacionit, emocioneve, që mund ta ekzagjërojnë me meraqet, koha e amplifikon ankthin duke e çuar deri në panik, për disa persona, pa qenë të sëmurë, vetëm cfarë po ndodh për rreth dhe si reagojnë.

Për këta që janë brenda spitalit mos harrojmë që shtrimi në spital perceptohet që shëndeti jot është rënduar shumë dhe stacioni i fundit që ti shpresën e madhe për të ndryshuar gjendja. Pastaj si objekt dhe nocion. Ky lloj problemi, në spital nuk lejohen familjarët që janë suport shumë i madh emocional dhe aq më tepër për këta persona që kanë gjithmonë nevojë për përkujdesje dhe të kenë një pikë referimi. Stafi është i mbingarkuar, nuk mund të ketë vëmendjen maksimale për secilin rast”.

Ndalimin e telefonave për pacientët, Rreli e cilëson gabim të madh, ndërsa shpjegon edhe arsyet. “Për mua pjesa e telefonave është gabimi më i madh që po bëhet, pasi jo gjithkush mund të qëndrojë tek ‘doktor google’ dhe të amplifikojë ankthet e veta, dikush e ka domosdoshmëri si mjet komunikimi, dikush tjetër do të zgjedhë të lundrojë në internet për informacionet që i pëlqejnë. Jam i sigurt se i kanë hequr se amplifikojnë frikërat e tyre. Nuk është cështje moshe, thjesht cështje reagimi emocional, që është pjesë e personalitetit tonë, dhe kjo nuk ka moshë.

Ka njerëz që janë më të ndjeshëm, dhe që reagojnë në të njëjtën mënyrë në fund me një lloj paniku dhe gjendja e panikut nxjerr rezultate të gabuara dhe një pjesë të çon në këtë që mund të jetë fatal për jetën. Aq më tepër në kushtet e një sëmundje që gjahto kohës flitet që është e rëndë mund të cojë në vdekje, njerëzit po vdesin përditë, përballuar me traumat e imazheve që ofroi Italia. Ne sot nivelin e traumës e kemi shumë të lartë”.

Por cila është zgjidhja? “Psikologu në spital u tha që në momentin e 29-vjeçarit, pa diskutim që duhet të ketë një staf në spital që ti asistojnë të paktën për të racionalizuar mendimet, që në ato kushte, që pa diskutim shformatohen. Ato duan në fakt staf mbështetës, psikolog, edhe punonjësi social e bën shumë mirë këshilluesin. Ata duan të ndjehen të dëgjuar për dhimbjen e tyre, të qetësuar më pas, cka një profesionist i shpjegon ecurinë jashtë ca fantazia e tyre përfshihet në ekstrem. Duhet dikush ti dëgjojë dhe suportojë. Stafi mjekësor ka prioritet jetën, imagjino një person që i mungon oksigjeni, dhe që në fund nuk ka kohë ta ledhatojë edhe me fjalë, pasi pret tjetri për terapinë”.

Psikiatrja nuk lë pa vlerësuar edhe rolin e stafit mjekësor dhe stresit me të cilin përballen. “Të gjitha institucionet COVID kanë brenda tyre një nivel të lartë të përjetimit të stresit, nga sanitari deri te pacienti pa diskutim, edhe mjeku, infermieri super ngarkesë. Jo vetëm fizike, por edhe psikologjike, të punosh në presionin e kohës dhe përgjegjësisë, me sekondat e jetës së tjetrit është niveli më i lartë i stresit. Aq më tepër kur ke edhe përgjegjmërinë shumë të lartë. Të përcjellësh njerëz të vdekur cdo ditë nuk është gjë normale, edhe ata janë njerëz. Të punosh larg familjes, edhe kur i takon je me stresin se mos i infektosh. Duke u përballuar me një të sëmurë rëndë tmerrin e kanë më të madh. Janë njerëz nën traumë” përfundoi ajo. d.b/abcnews.al


Shtuar 3.09.2020 20:26