Vasili çudit me deklaratën për Gjiknurin: Koleg i vyer, i sprovuar!

Palët politike pas rreth 1 viti debatesh e konfliktesh ranë dakord që ta bëjnë së bashku reformën zgjedhore. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka folur për marrëveshjen për kryerjen e reformës zgjedhore. Vasili e cilësoi si një kontribut të madh të dhënë nga opozita.

“Japim një kontribut të madh si opozitë”, u shpreh Vasili.

Nënkryetari i LSI-së tha se koha tregoi që opozita kishte të drejtë ndërsa bëri të qartë se nuk është bërë asnjë lëshim me Damian Gjiknurin.

Ndërkohë Petrit Vasili, duket se ka ndryshuar mendim për Damian Gjiknurin duke e quajtur këtë të fundit “koleg të vyer dhe të sprovuar në proceset zgjedhore”.

“Kemi një Parlament ilegjitmim që është në fundin e tij. Fatura politike po rëndon shumë shqiptarët.

Negocim të lehtë nuk ka, ngjarjet kanë ecur në një rrugë të tillë që edhe koha na dha të drejtë sepse nuk u imponuam në asnjë rast.

Kjo situatë në procesin e integrimit na rëndoi kushtet, filluam të kemi reflektime negative edhe në planin rajonal. Nuk kemi bërë asnjë lëshim me Damian Gjiknurin.

Dosja 184 është një sprovë për SPAK, ky është problemi i PS. Kam vendosur kontributin tim që procesi të jetë sa më i mirë”, tha Vasili.

Pyetje: Ka patur takime të mëparshme me përfaqësues të mazhorancës?

Vasili: Ka pasur takime, por jo individuale. Jemi takuar edhe me zotin Gjiknuri edhe zonjën Hajdari.

Pyeje: Do vazhdoni me kërkesën për rrëzimin e kryeministrit Rama.

Vasili: Është kërkesë e pandryshuar.

Pyetje: Do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Vasili: Padyshim që po.

“Nuk bëhet fjalë për zbutje gjakrash, nuk kemi lëvizur asnjë gram, kërkesa për largimin e kryeminsitrit mbetet aty. Reforma Zgjedhore bëhet për ti dhënë zgjidhje krizës politike”, u shpreh Vasili.

Sa i përket reagimit të kryeminstrit Rama për marrëveshjen, Vasili theksoi se ai që ka humbur një vit kohë në dëm të shqitarëve ka qenë Edi Rama.

Ndërkohë i pyetur për reagimin nga Jozefina Topalli e cila u shpreh se kjo ishte një marrëveshje Rama- Basha, nëkryetari i LSI-së tha se njeriu nuk duhet të bjerë në nivele kaq mjerane.

“Zgjidhjet e njëanshme dhe logjika e faktit të kryer nga ana tjetër do të jenë vija të kuqe dhe nuk do të ketë asnjë lloj tolerance. Konsensualiteti dhe gjithëpërfshirja janë dy themelet e çështjes”, tha Vasili. Më tej ai theksoi se vigjilenca politike duhet të jetë më e lartë.

“Është një proces i negociuar prej disa kohësh, shumë parimor i realizuar edhe me ndërhyjen e ndërkombëtarëve, jo një marrveshje dyshe”, tha më tej Vasili./abcnews.al


Shtuar 14.01.2020 20:34