Thyejnë çdo parashikim! Policia e Shtetit u ka vendosur sot shqiptarëve 80 mijë euro gjoba

Ditën e sotme Policia e Shtetit ka vendosur 80 mijë euro gjoba.

Policia njoftoi mesditën e së martës se kishte gjobitur 729 qytetarë dhe 19 sipërmarrës me 9 970 000 lekë:

719 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me nga 10 000 lekë;

9 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes në parqe u gjobitën me nga 20 000 lekë;

19 pronarë dyqanesh e lokalesh që vazhduan aktivitetin përtej kufizimit të orarit u gjobitën me nga 100 000 lekë;

1 qytetar që nuk respektoi karantinën u gjobit me 700 000 lekë;
Më parë dita me më shumë gjoba kishte qenë e premtja, 10 prill, me 40 mijë euro gjoba.

Prej së hënës policia ka nisur të përdorë dronë për vëzhgimin e lëvizjeve të qytetarëve, gjë e cila mund të shpjegojë dyfishimin e ndëshkimeve.

Megjithëse kufizimi i lëvizjeve, prej 13 prillit, është lehtësuar me orar 05:00 deri në 17:30, qytetarëve nuk u lejohet lëvizja e padeklaruar për një kohë prej 90 minutash.

Njësoj nuk lejohet lëvizja me makinë përtej dy orareve 05:00-8:00 dhe 16:00-17:30. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu bëri thirrje qytetarëve të mos abuzojnë me autorizimet, pasi nuk do të tolerohen, shkruan Exit.

Prej 16 marsit, kur u vendosën masat e kufizimit, policia ka gjobitur më shumë se 5 500 qytetarë dhe mbi 250 sipërmarrës me një total prej rreth 90 milionë lekësh, ose ndryshe mbi 700 mijë euro. /albeu.com/


Shtuar 14.04.2020 14:31