Tender 1.5 milionë euro, kallëzohet në SPAK ministrja Olta Xhaçka

“Partia Demokratike e Shqipërisë do të paraqesë nesër në mëngjes kallëzim penal në SPAK ndaj Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka…”

Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK ministren e mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Kallëzimi është bërë në lidhje me tenderin e blerjes së ushqimeve nga Ministria e Mbrojtjes, ku një kompani elektronike dhe ndërtimi, u shpall fituese për tregimin e ushqimeve.

Sipas PD-së, kjo gjë ka ndodhur në kundërshtim me ligjin duke shënuar kështu një aferë korruptive.

Deklarata e plotë e PD-së:

Pas dokumentimit të skandalit me tenderin e blerjes së ushqimeve nga Ministria e Mbrojtjes, ku një kompani elektronike dhe ndërtimi, u shpall fituese për tregimin e ushqimeve, në kundërshtim me ligjin, Partia Demokratike e Shqipërisë do të paraqesë nesër në mëngjes kallëzim penal në SPAK ndaj Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Ky tender i realizuar me urgjencë në këtë kohë krize, ku është shpallur fituese pa garë, një kompani kompjuterash, është një aferë e pastër korruptive dhe klienteliste, për shkak se:

1. Kompania që Edi Rama dhe Olta Xhaçka kanë parapërzgjedhur t’i japin plot 1.5 milion euro nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore. Kompania “Eurovia” është e specializuar për pajisje kompjuterike dhe ndërtim, jo për tregtimin e produkteve ushqimore.

2. E njoftuar paraprakisht për hapjen e këtij tenderi, në datë 19 Mars 2020, pra vetëm 6 ditë para se të shpallej fituese e tenderit për ushqime nga Ministria e Mbrojtjes, kompania “Eurovia” shpk, dega Shqipëri, ka modifikuar objektin e aktivitetit të saj, duke shtuar edhe tregtimin në produktet ushqimore. Vetëm 6 ditë pas këtij modifikimi, pa asnjë eksperiencë në këtë fushë, ajo shpallet fituese e tenderit 1.5 milionë euro të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes për paketat ushqimore.


Shtuar 31.03.2020 18:20