SKENA/ Ish-bashkëshortja e policit të vrarë tentoi të kaloj drejt Anglisë vjehrrën

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka pezulluar nga detyra punonjësen e Policisë, Matilda Bilali, gruan e ish-policit të vrarë më 30 janar 2019, në zonën e Selitës.

Bashkë me Bilalin, janë pezulluar nga detyra edhe: Liri Sinakoli, Aranit Dibra dhe Arta Mamani. SHÇBA njofton se të 4 efektivët e Policisë, kanë tentuar të kalojnë shtetasen K.B me pasaportë të falsifikuar jashtë vendit.

Burimet bëjnë me dije se K.B është e ëma e ish-policit të vrarë.

Nusja e Bilalit ka kërkuar ndihmën e kolegëve për të kaluar vjehrrën drejt Anglisë, një vit pas vrasjes së të shoqit.

Specialistja e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, është pezulluar nga detyra, ndërkohë që janë ende të paqarta motivet, pse e ëma e Arben Bilalit do të shkonte me letra false në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan Dosja.al.

NJOFTIMI I PLOTË:

Pas një hetimi pro-aktiv të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, në kuadër të një procedimi penal për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, me vendim të Gjykatës janë caktuar masat e pezullimit të ushtrimit të detyrës për punonjësit e Policisë: L.S., me detyrë në DPPSH; M.B., me detyrë në DPPSH; A.M., në Komisariatin e Policisë Rinas; A.D., në Komisariatin e Policisë Rinas. U vendos masa “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen K.B. Këta punonjës në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, duke dashur të mundësojnë kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror në Aeroportin e Rinasit, të një shtetaseje shqiptare me pasaportë të falsifikuar. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë, Tiranë. SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë çdo shkelje të punonjësve të Policisë në numrin falas 0800 90 90.

Vrasja e Arben Bilalit dhe lirimi i Gjergji Cukalit, miku i Emiljano Shullazit që ia doli të fitonte lirinë duke bërë ping-pong me gjykatën

50-vjeçari Arben Bilali, u vra më 30 janar në zonën e Selitës, ku jetonte me familjen e tij. Ai ndodhej në një makinë bashkë me shokun e tij kur u qëllua me mbi 15 plumba breshëri nga një makinë Benz. Në harkun kohor të 20 viteve, Arben Bilali, është djali i tretë i familjes Bilali që vritet.

Më herët i janë vrarë edhe dy vëllezërit, Bujar dhe Leonard Bilali. Shkak për vrasjen dyshohet se është hasmëria me familjen Xhabafti por edhe përfshirja e Bilalit në aktivitet të paligjshëm. Ai u qëllua në Selitë, 900 metra larg vendit ku 9 vite më parë u ekzekutua vëllai i tij, Leonard Bilali, ish-mundës i Dinamos.

I akuzuari kryesor për vrasjen e Arben Bilalit ishte Gjergji Cukali, miku i Emiljano Shullazit, që falë një vendimi të gjykatës së Apelit Tiranë, ia doli të rifitojë lirinë, disa muaj pas arrestimit. Ai u prangos me bujë në maj 2019, nga Forcat Shqiponja në zonën e Myslym Shyrit, pasi dyshohej si njeriu që ekzekutoi Bilalin.

Ishte ADN ajo që çoi grupin hetimor drejt Cukalit, pasi pështyma që u gjet brenda në makinën e vrasësve të ish-policit, përkonte me mostra të vjetra pështyme që i janë arrestuar këtij personi kur është arrestuar disa vite më parë.

Ishte kjo procedurë, që bëri që Gjykata e Apelit t’a quante të paligjshem procedurën e marrjes së ADN, dhe për rrjedhojë edhe lirimin e Cukalit.


Shtuar 6.02.2020 17:29