Shembja e shkollave në Durrës, Xhaferraj: Qeveria do të mbyllë tenderët në mënyrë jo-ligjore

Si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, Këshillit Bashkiak Durrës ka miratuar vendimin e prishjes së disa shkollave.

Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe kreu lokal i degës së Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj i cili shkruan në Facebook se në pak muaj qytetarët kanë vuajtur nga dy fatkeqësi, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia, por sipas tij, fatekqësia më e madhe për ta është qeverisja e korruptuar.

Xhaferraj thotë se situata e koronavirusit, po i shërben qeverisë për të mbyllur “në mënyrë anti-ligjore e jo transparente të gjithë tenderat në vend.”

Sipas Xhaferrajt, “prishja e shkollave filloi urgjentisht, ndërsa banorët e Durrësit janë të çuditur me shpejtësinë në veprim të një bashkie që kishte vite pa vepruar”.

Objektet për të cilat bëhet fjalë janë: Godina e Konviktit të Shkollës së Fiskulturës “Benardina Qeraxhi”, Shkolla “Qemal Mici”, Shkolla “Bedrie Bebeziqi”, Shkolla “Shaqe Mazreku”, shkolla “Hasan Koci” dhe Kopshti “Met Hasa”.

Postimi i plotë:

Akademia e Korrupsionit në praktikë, Akademia e Transparencës në letër

Qytetarët e Durrësit janë përballur në pak muaj me dy fatkeqësi: tërmeti i 26 Nëntorit dhe pandemia globale. Por, qytetarët kanë vite që vuajnë fatkeqësinë më të madhe: qeverisjen e korruptuar e të paaftë. Jo më larg se javës që shkoi, Këshilli Bashkiak një ngjyrësh u urdhërua të vendoste për prishjen e disa shkollave të qytetit me pretekstin se janë të pariparueshme. Objektet në fjalë janë: Godina e Konviktit të Shkollës së Fiskulturës “Benardina Qeraxhi”, Shkolla “Qemal Mici”, Shkolla “Bedrie Bebeziqi”, Shkolla “Shaqe Mazreku”, shkolla “Hasan Koci” dhe Kopshti “Met Hasa”.

Menjëherë pas marrjes së vendimit filloi urgjentisht prishja e godinave duke filluar me Shkollën “Qemal Mici”. Banorët e zonave kanë mbetur të cuditur për shpejtësinë në veprim të një Bashkie që kishte vite pa vepruar. Shkollat mund të kenë vërtetë nevojë për rindërtim, sic kanë qindra banesa në Durrës që pas tërmetit, por nevoja më bazë e qytetarëve në këtë situatë është transparenca. Duket se situata e krijuar i ka shërbyer qeverisë për të mbyllur në mënyrë anti-ligjore e jo transparente të gjithë tenderat në vend, sic dëshmoi edhe rasti i koncesionit të Porto Romanes. Edhe në Durrës, Bashkia është e vendosur të përfitojë maksimalisht nga situata e nga fondet e BE-së.

Në 15 Prill Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, nënshkroi me qeverinë Shqiptare marrëveshjen për një fond prej 15 mln eurosh që do t’i dedikohej rindërtimit të 22 shkollave të shkatërruara nga tërmeti, por kriter do të bënte me dije ambasadori është sigurimi i një procesi transparent. Të njejtën gjë ka theksuar edhe ambasadorja Yuri Kim, e cila do të shprehej se nisur nga rëndësia thelbësore që ka transparenca donacioni i SHBA-së për tërmetin do të shkonte pikë së pari në ndërtimin e një Akademie Transparence. Por, deri në ngritjen e saj, në Durrës e kudo mbetet monopol vetëm Akademia e Korrupsionit.


Shtuar 3.05.2020 10:31