Rama jep lajmin e mirë: Nga java e ardhshme nisim lehtësimin e lëvizjes

Kryeministri Rama njoftoi se po diskutohen një plan i lehtësimit gradual të masave deri në mesin e këtij muaji.

Ndërkohë nga java e ardhshme do të ketë lehtësira të lëvizjes.

Rama: Nuk dua të entuziazmoj askënd se nuk ka vend për entuziazëm por dua t’u informoj se ne po detajojmë një plan të lehtësimit gradual të masave që do të hyjë në zbatim menjëherë sapo të shohim fillimin e rënies së kurbës të të infektuarve.

Nuk e di kur do të ndodhë por dimë që deri në mes të prillit do të kuptojmë sa thellë është shtrirë ky armik i padukshëm mes nesh. Po studiojmë disa lehtësime të lëvizjes që i kemi gati dhe me ndihmën e Zotit duke filluar me pikatore nga java e ardhshme poqese numrat deri të dielën do të na lejojnë ta marrim në konsideratë përdorimin e pikatores.

Prisnim kërcim të numrave në javën që lamë pas por nuk ndodhi as këto ditë. Na bën optimist por nuk do të thotë asgjë deri sot. Vigjilencë dhe rezistencë. Fati i kësaj lufte nuk varet vetëm nga ky armik por edhe rezistenca jonë.Do të jetojmë me ditën, jo me javën dhe as me muajin sepse ndryshe se fitojmë dot këtë luftë.

Shefi i qeverisë tha se masat shtrënguese kanë dhënë efektin e tyre dhe nuk mund të rrezikojmë në fund duke hedhur në kosh të gjithë sakrificat.

Rama: Masat shtrënguese na kanë ndihmuar jashtëzakonisht në uljen e agrisivitetit të armikut që gjatë kësaj faze na ka dëmtuar më pak sesa vetë parashikimet tona më optimiste.

Por kjo nuk do të thotë se kastrofa është shmangur përfundimisht dhe mos o Zot të lëshojmë veten tani kur lufta nuk është ende në mes. Do hidhnim në det të gjithë këtë përpjekje kolosale që po bëjmë si popull në çdo familje. Nuk është e lehtë por nuk kemi asnjë rrugë tjetër.


Shtuar 1.04.2020 19:46