Prokurori amerikan sygjeron dënimin e Saimir Tahirit: Mesazh i mirë për shqiptarët

Për prokurorin federal amerikan Gjon Junçaj dënimi i ish-ministrit Tahiri, është një mesazh i mirë për njerëzit.

Në një intervistë të dhënë për Menada Zaimin, në Zërin e Amerikës, Junçaj tha se ky dënim do të jetë një njollë për ish-ministrin që do ta ndjekë kudo.

Po ashtu, ai shtoi se kjo gjë dërgon edhe një mesazh te politikanët e tjerë që duan të ndjekin një rrugë të ngjashme, pasi do të jetë më e vështirë që të kryhen krime kur je në një post zyrtar.

Gjon Junçaj: Di që ish-ministri i Brendshëm u dënua, nuk u dënua me afat burgimi. Por mendoj se është një gjë e rëndësishme në kuptimin që kjo do të jetë një njollë që do ta ndjekë ish-ministrin kudo. Mendoj se dërgon edhe një mesazh në një mjedis shumë të vështirë. Duhet të keni parasysh sigurisht që kjo ndodhi para SPAK-ut ose gjykatës së SPAK-ut, pra prokurorët ishin të gatshëm ta hetonin atë duke bindur gjykatën se ai ishte fajtor për krimin për të cilin ishte akuzuar.

Jam i sigurt se kjo dërgon një mesazh edhe tek njerëzit e tjerë, politikanët e tjerë dhe njerëzit në qeveri që duan të ndjekin një rrugë të ngjashme. Mendoj se ajo që duhet të presin ata tani është se do të jetë më e vështirë të kryhen krime kur të jenë një post zyrtar. Ajo që i pret ata në të ardhmen, do të jetë një zyrë e Prokurorit të Posaçëm dhe hetuesish që do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara e partnerëve të tjerë për të bërë një punë më të mirë se sa deri tani. Shpresoj se do të bëhet më e vështirë që kjo lloj veprimtarie kriminale të ndodhë në të ardhmen.

Ndërkohë pyetjes së gazetares Zaimi nëse do të vazhdohet duke pasur akuza dhe në fund do të shpëtohet pa vuajtur dënime, ashtu si rastin e ish-ministrit që u largua me një dënimi shkurajues nisur nga serioziteti i akuzave, Junçaj u përgjigj se persona të tillë po largohen me njollë. Sipas Junçaj, populli shqiptar është i irrituar që shumë njerëz të rangjeve të ulta që shkojnë në burg, ata që nuk kanë mbrojtje politike, por shtoi duke thënë se politikanët nuk duhet të shpresojnë më që kjo do të jetë më kështu në të ardhmen.

Gjon Junçaj: Por ata po largohen me njollë. Sigurisht, mendoj se çdo prokuror do t’ju thotë se ku ka një dënim sidomos për shpërdorim detyre, ose korrupsion, ose lloje të tjera të krimeve si mashtrimi, ne presim një dënim që përfshin burgosjen ose diçka tjetër, që është e përshtatshme. Mendoj se ajo me të cilën populli shqiptar është më shumë i irrituar deri tani është se ka shumë njerëz që shkojnë në burg, por gjithnjë janë njerëz të rangjeve të ulta, janë njerëzit që nuk kanë mbrojtje politike.

Shqiptarët kanë të drejtë të shpresojnë, apo të presin në të ardhmen që njerëzit vërtet të ndëshkohen, pavarësisht se cilët janë. Kështu që mendoj që ky është një hap i parë i rëndësishëm, por nëse do të isha një politikan shqiptar dhe do të isha i përfshirë në korrupsion në Shqipëri, nuk do t’i bëja më llogaritë duke shpresuar për të njëjtin rezultat në të ardhmen. Mendoj se kjo u dërgon një mesazh politikanëve dhe kriminelëve të tjerë, që gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen, kjo është ajo që populli shqiptar pret dhe Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë për përgatitjen e prokurorëve dhe hetuesve, që të kryejnë një punë më të mirë.

Kjo deklaratë e prokurorit federal amerikan Gjon Junçaj vjen në një moment kur ka një krizë politike në Shqipëri./oraneës


Shtuar 30.01.2020 18:13