OBSH: Koronavirusi ndikon në luftimin e sëmundjeve të tjera

Pandemia e koronavirusit ka një ndikim në luftën kundër sëmundjeve të tjera, siç është poliomieliti. Një fakt i tillë u bë i ditur nga drejtori i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në konferencën e zakonshme për shtyp.

Shumë punonjës të kujdesit shëndetësor tani po mbështesin përgjigjen COVID-19, ndërsa kanë ndaluar përkohësisht vaksinimet për poliomielitin në disa raste, tha ai.

Po ashtu gjatë fjalës së tij, kreu i OBSH u ndal edhe tek pasojat ekonomike dhe sociale që do të sjellë fundi i kësaj pandemie.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për pasojat e thella sociale dhe ekonomike të pandemisë. Në fund të fundit, mënyra më e mirë për vendet për t’i dhënë fund kufizimeve dhe për të lehtësuar efektet e tyre ekonomike është lufta ndaj virusit”, tha Tedros.

Ai po ashtu u bëri thirrje vendeve të ndihmojnë qytetarët e tyre duke zgjeruar programet e mirëqenies sociale, duke lëvizur barrierat financiare dhe duke siguruar që masat e shëndetit publik janë “plotësisht të financuara”.

Më shumë se 1 milion raste të COVID-19 janë konfirmuar, përfshirë të paktën 55.781 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins. Përhapja, e cila u shfaq në Kinë pak më shumë se tre muaj më parë, ka goditur shumë ekonomitë ndërsa qytetet u mbyllën, duke i lënë njerëzit pa punë.

Më herët gjatë javës, zyrtarët e OBSH thanë se ishin të shqetësuar për përshkallëzimin e shpejtë dhe përhapjen globale të shpërthimit. /abcnews.al


Shtuar 4.04.2020 06:24