Nuk pyesin për rekomandimet e OBSH, Rama e Manastirliu s’pranojnë të testojnë mbarë shqiptarët

Pavarësisht rekomandimeve të OBSH, Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nuk do që shqiptarët të bëjnë testim për koronavirusin si një mundësi me efekt të shpejtë për ndërprerjen e zinxhirit transmetues të virusit të rrezikshëm.

Në një pyetje-përgjigje me kryeministrin Edi Rama i cili i përcolli kërkesën e qytetarëve shqiptarë, zonja Manastirliu tha se testimi po bëhet me pikatore sepse po zbatohet rekomandimi i vjetër i OBSH edhe pse prej shumë ditësh kreu i OBSH apelon për testim masiv të popullatës kudo në botë.

“Të gjitha testet që zhvillohen në Laboratorin e Virologjisë realiziohen në sajë të një përkufizimi të rastit i cili është rekomandim i OBSH dhe vendim i Komitetit të Ekspertëve Teknikë në MSH”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, sikurse lexohet në transkriptin e bisedës që qeveria i shpërndau mediave sot pasdreke.

Ajo doli qartësisht kundër apelit për testim masiv, kur tha:

“Nëse Komiteti i Ekspertëve merr vendimin për të testuar gjithë popullatën, dhe këtu nuk është çështje buxheti, do na duhej t’i testonim përiodikisht, pasi ai që nuk rezulton sot, nesër mund të rezultojë i infektuar”, tha zonja ministre, ish drejtore e QSUT duke qenë kontradiktore me veten, sepse nga njëra anë tha se nuk është çështje buxheti e nga ana tjetër tha se testimet mund të duhet të bëhen më shumë se një herë.

E pas kësaj, Manastirliu dha një parashikim të zymtë për të ardhmen: “Jemi në javën e tretë, kurba do vijojë të rritet, masat që kemi ndërmarrë do të vlerësohen ndoshta jo këtë javë, por në fillimin e javës tjetër rreth datës 13 prill”.

Refuzimi i Manastirliut për testim masiv të popullatës nuk hasi në kundërshtime nga kryeministri Edi Rama.

Rikujtojmë se OBSH ka rekomanduar shtetet e prekura nga COVID-19 të bëjnë sa më shume teste në mënyrë që të shkëputet zinxhiri i përhapjes së COVID-19.


Shtuar 26.03.2020 15:10