Nuk dogji mandatin, Lefter Koka tregon si e priti Meta vendimin e tij

Deputeti Lefter Koka, i ftuar në emisionin “Real Story”, tha se ishte i bindur për vendimin që mori, për të qëndruar në Parlament në vitin 2019 kur PD dhe LSI dogjën mandatet. Ai e ka cilësuar si një veprim të gabuar atë që opozita bëri me djegien e mandative. I njohur si një nga më të besuarit e presidentit Ilir Meta kur ai drejtonte partinë, vendosi të dalë kundër një vendimi të grupit parlamentar, që mbështet djegien e mandateve njëjtë si Partia Demokratike dhe aleatët e tjerë opozitarë.

“Ajo hynte te vendimet e rëndësishme të miat. Por isha i bindur se vendimi i marrë nga opozita ishte shumë i gabuar. Faktet sot po e tregojnë. Duke menduar që nuk përfaqësoj vetëm një forcë politike, por një komunitet të gjerë, thash po e marrë këtë vendim (për qëndrimin në Parlament)”, tha Koka.

Ndërkohë, i pyetur nëse do të rikthehej përsëri në LSI, Koka u shpreh:”Besoj kjo është mbyllur. LSI është forcë e re politike dhe ka objektiva të tjera. Si unë ka dhe kolegë të tjerë që janë aktivizuar më pak dhe mund të mendojnë ndonjë largim ilegal. Por komunikimet e mia me ta kanë qenë më të pakta, por të mos thënë inekzistente”.

Sokol Balla e pyeti ish-deputetin e LSI se si e kishte pritur presidenti Meta vendimin e tij për të mos djegur mandatin. “Besoj që nuk ka lënë shije të mira, ndoshta ngaqë vendimi im s’përkonte me vendimin e grupit. Por s’besoj që nuk gëzojmë për njëri-tjetrin të njëjtin mendim. Kemi pasur shumë sfida së bashku”, tha deputeti Lefter Koka.


Shtuar 17.06.2020 21:48