Meta: Dvorani është përgjegjësi e KLGJ-së

Presidenti Ilir Meta vlerësoi vendimin e Ministrisë së Arsimit për shtyrjen e zgjedhjeve në universitete, ndërsa lidhur me cështjen Dvorani, ai tha se përgjegjësia i mbetet KLGJ-së.

“Është një vendim i arsyeshëm dhe i pritshëm, pasi në një periudhë të vendosur nga parlamenti të fatkeqësisë natyrore nuk ishte e mundur për të pasur zgjedhje përfshirëse demokratike sikur duhet të meritojnë universitetet” – deklaroi kreu i shtetit.

Ndërkohë, sot kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal dhe për këtë, Meta kishte një mesazh, teksa kërkoi përgjegjësi nga të gjithë.

“Të gjithë të bëjnë detyrën e tyre me përgjegjësi, që qeveria, Shëndetësia, policia, prokuroria dhe gjykatat të nxjerrin aktet dhe udhëzimet në frymën e ndryshimeve që u bënë në Kodin penal që janë më të avancuara në kontinent sipas standardeve daneze. Por duhet edhe kolona e akteve të tjera në këtë frymë që t’u shërbejë atyre qëllimeve, që synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”.

Sipas Metës, lidhur me çështjen e protestave, tubimeve apo manifestimeve, tha se Kushtetuta e garanton në mënyrë të qartë, këtë të drejtë themelore në çdo rrethanë apo kushtesh. Kjo e drejtë, sipas tij duhet respektuar. Por duke qenë se jemi në një situatë të veçantë, duhen marrë masat jo që të ndalohen, por të zhvillohet në përputhje me kushtet specifike të distancimit social, të ruajtjes së sigurisë të atyre që duan të organizojnë manifestim dhe duhet të jenë paqësore.


Shtuar 8.05.2020 10:44