Krimi makabër në Tiranën e 1985: Shoqja fton shoqen dhe ia lë burrit t’a vrasë

Historiani i njohur Kastriot Dervishi ka bërë publike një ngjarje tragjike të ndodhur vite më parë në Tiranë.

Ngjarja daton në vitit 1985 në Tiranë dhe zbardh një vrasje e organizuar nga një cift të rinjsh për shoqen e tyre e cila ishte në atë kohë, vetëm 23 vjeçe.

“LB thërret në shtëpi shoqen e saj NV. Pasi e fut brenda, e lidh me tel nga duart, me leckë te goja dhe ia lë në dorën bashkëshortit të saj për ta poshtëruar e përdhunuar…”

Për këtë vrasje makabre,janë dënuar dhe ekzekutuar me varje, cifti në fjalë por sipas Dervishit, eshtrat e tyre po përdoren nga ICMP, duke u cilësuar të vrarë politikë për të vjedhur fonde.

Vrasja makabre dhe akuza e Dervishit për ICMP:

Një vrasje e shëmtuar e vitit 1985 dhe pikëpyetjet e ICMP-së

Do ju tregoj shkurt një krim të shëmtuar të ndodhur në Tiranë 20.2.1985. Protagonistë të ngjarjes janë:

-E.U. 29 vjeç, bashkëshort i L.B.
-L.B. 23 vjeçe, bashkëshorte e E.U.
-N.V. 23 vjeçe viktima, shoqe e L.B.

LB thërret në shtëpi shoqen e saj NV. Pasi e fut brenda, e lidh me tel nga duart, me leckë te goja dhe ia lë në dorën bashkëshortit të saj për ta poshtëruar e përdhunuar. Pasi viktima NV bën rezistencë të madhe, LB e godet disa herë në kokë me shat, duke i shkaktuar vdekjen.

Në përfundim të veprimeve, të dy bashkëshortët, viktimën NV e mbështjellin me qese dhe e hedhin në gropën e gëlqeres së shtëpisë. Krimi zbulohet pas 5 ditësh. Të dy protagonistët dhe një person tjetër, u arrestuan. Gjykata Popullore Tiranë, me vendimin nr.169, datë 11.5.1985 i dënoi me vdekje, pushkatim.

U la në fuqi me vendimin nr.130, datë 25.5.1985 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Më 8.6.1985 Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi t’u falë jetën dhe dy ditë më pas, vendimi u ekzekutua në vendin e njohur tashmë në Dajt.

Eshtrat e tyre ishin pjesë e eshtrave që u gjetën atje, për të cilat pata paralajmëruar disa herë se nuk u përkasin personave të vrarë për motive politike.

Tani unë shtroj një pyetje publike: A është LB njëra nga dy skeletet që zyra e ICMP-së (Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur) në Tiranë, njoftoi se identifikoi? Pse mbahen akoma të fshehur emrat e dy skeleteve të identifikuar nga eshtrat e Dajtit? Të kishte qenë ndonjë rast politik, e dimë që këta që kanë lindur vetëm për fasadë nuk do mbaheshin së bëri agjitacion.

Deri më sot, kjo zyrë nuk ka qenë gjë tjetër veçse një variant për të thithur fonde nga burokratët e Brukselit dhe një ent propagandistik që kombinohet jo cilësisht me një tjetër njësi agjitative që duket si koordinator ojëqësh, domethënë Autoriteti i gjasme hapjes së dosjeve (ndërmarrje grumbullimi por edhe agjenci publicitare).

Sa para janë harxhuar deri tani? Kanë kaluar 1 milion euro (se 600 mijë ishin në fillim), apo aty afër janë? Po mbushen gati dy vjet nga miratimi i ligjit nr.83/2018 dhe janë reklamuar vetëm këto dy skelete.

LB nuk do ta kish menduar kurrë se do të vlerësohej kaq shumë me ligje e me euro. Edhe floriri t’i kishte eshtrat, nuk do vlenin kaq shumë.

Tani shokët e zyrës së ICMP-së, si dhe ata të Autoritetit (që as ka lidhje me këtë punë sepse Zyra e të Zhdukurve ligjërisht është pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve), si “robert çamçakëza” që janë e sillen vërdallë nëpër ndërmarrje, kanë nisur propagandimin e idesë së “projekteve” për të “ndërgjegjësuar” familjarët e personave që nuk u gjenden eshtrat.

Punë e madhe, se zaten, të paditur familjarët. Mirë që u shfaqën këta për të dhënë mendje e për t’i “rilindur”. /albeu.com/


Shtuar 19.09.2020 17:00