KORONAVIRUSI/ Rama: Erdogan na bëri nder të madh!

Qeveria është e vendosur të testojë vetëm personat me simptoma dhe kontaktet e afërta të tyre për koronavirus. Sipas ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, testimi i të dyshuarve “bëhet për të shkëputur zinxhirin e COVID-19”, ndërsa sipas saj “testimi në masë i popullsisë nuk largon riskun”.

“Do të testojmë, testojmë, testojmë të dyshuarit dhe ata që kanë nevojë të heqin dyshimet nëse janë të prekur apo jo për të ndërprerë zinxhirin e infektimit të Covid 19. Kemi bërë testime aq nevojë sa kemi pasur. Epidemiologët në të gjithë vendin po bashkëpunojnë me urgjencat rajonale dhe ato të ardhura në numrin 127për të identifikuar rastet e prekura.

Nëse do të testojmë të gjithë popullatën, do të duhet ta ritestojmë atë periodikisht dhe kjo nuk është vetëm një çështje buxheti, por nuk e përjashtojmë dot riskun e tyre me testin, pasi ato mund të infektohen në një moment të dytë”, tha Manastirliu.

Ndërkohë ajo shtoi se efekti i masave të marra nga qeveria do të shihet javën e ardhshme. Gjithashtu ministrja u shpreh se pajisjet mjekësore që erdhën një ditë më parë nga Turqia, tashmë u janë shpërndarë stafeve mjekësore.

Ndërkohë, Rama e quajti këtë një “nder të madh” që i ka bërë Erdogan.

“Duhet theksuar se janë materiale të blera nga qeveria jonë, pjesë e buxhetit të luftës, por nderi i madh dhe avantazhi është që qeveria turke hapi kanalin e eksportit me urdhër të Presidentit.

Pasi vendet kanë mbyllur kufijtë dhe kjo e bën shumë të komplikuar këtë luftë dhe që ne tani të garantojmë rezerva dhe këto janë të konsiderueshme falë këtij kanali që kemi hapur. Është një hapje ekskluzive kanali, pasi si Turqia dhe Kina janë mbyllur për kërkesat, por me urdhër të presidentit u hap”, tha Rama.


Shtuar 25.03.2020 19:13