I përfshirë në atentatin e Billës? Arrestohet 32 vjeçari nga Shkodra

Policia vijon veprimet hetimore dhe profesionale për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Hekuran Billa.

Gjatë kontrolleve të shtuara është kapur në një lokal, një shtetas që mbante armë zjarri pistoletë me vete dhe tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u arrestua në flagrancë nga Policia.

Teksa tentoi të largohej nga policia ai ka hedhur në tokë një çantë, brenda së cilës Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë, me një krehër me 7 fishekë kalibër 9 mm.

Shërbimet e Policisë kanë vijuar ndjekjen dhe pas disa minutash kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 32 vjeç, banues në Shkodër. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Më herët, nga DVP Tiranë, u identifikua dhe u prangos 22-vjeçari S. M. (nipi i shtetasit V. M.), i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje.

Më pas, falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë malazeze, duke shkëmbyer në kohë reale informacione të grumbulluara nga DVP Tiranë, për vendndodhjen e shtetasit V. M., i dyshuar si autor kryesor për vrasjen e shtetasit H. B., u bë e mundur kapja në Malin e Zi, nga Policia malazeze, e shtetasit V. M. dhe më pas arrestimi i tij në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit.


Shtuar 21.06.2020 07:22