Gjiknuri kundër listave të hapura: Mund të fitojnë njerëz me para e muskuj

Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, ka folur për marrëveshjen e arritur me opozitën.

Në një intervistë në emisionin “Provokacia”, Gjiknuri foli për rëndësinë e marrëveshjes së arritur, duke thënë se kjo “është një paqe e arritur për betejën politike që do të vijë.”

“Marrëveshja është e rëndësishme sepse epiqendra e luftës politike këto vite ka qenë problemi me zgjedhjet. Arritja e një marrëveshjeje, paqëton një proces shumë të rëndësishëm si ky. Kjo është një paqe e nevojshme për betejën politike që do të vijë”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor apo edhe listave të hapura, Gjiknuri u shpreh se, sado e pazakontë që të duket, listat e hapura kanë disa anë negative.

“Ne kemi thënë që do shprehemi të fundit. Nuk i takon mazhorancës që të imponojë sistemin. Listat e hapura kanë dy veti negative: Elitat do t’i godasin. E pamë katalogun te PD. E dyta, mund të ndodhë që personazhe me para edhe muskuj të jenë fitues. Kujtoni këshilltar bashkiakë kur kishin marrëveshje…”, shtoi Gjikunuri.


Shtuar 9.06.2020 21:55