Fatos Lubonja zbulon si u bë sulmi ndaj makinës e fajëson Edi Ramën

Ditën e sotme makina e analistit të njohur, Fatos Lubonja u dhunua nga persona ende të paidentifikuar gjatë natës së ndërrimit të viteve.

Analisti deklaroi se ky është akt vandal dhe një sulm i qëllimshëm.

“Di që u ktheva nga Italia më 1 në darkë dhe e gjeta makinën të dëmtuar mbrapa rëndë, thyer xhamat, që dukej e qëllimshme se nuk kishte ndonjë vjedhje. Ishte një akt vandal, akt urrejtje nga dikush”, tha Lubonja në rubrikën “Opinion”.

Ky ishte sulmi i dytë që iu bë analistit Lubonja brenda disa muajsh. Në korrik të vitit 2018, ai tha se makina e tij u sulmua nga një person me çrregullime mendore, por dyshimet e tij qëndrojnë tek deklaratat e forta ndaj politikanëve.

“Ai është i arrestuar. Nuk do të jetë ky. Pistat janë të shumta, por mua pista më çon te një urrejtje për qëndrimet politike. Kryeprotagonisti i kësaj klime urrejtje është kryeministri, që del aty e thotë ‘ndiqeni analistin’.

Një nga këta analistë jam edhe unë. Unë e marr si akt kërcënimi. Ne nuk jemi me bodigardë, nuk na mbron shteti, për ato që themi mund të shkojmë dhe në gjyqe. Këto janë akte vandale, që të kthejnë në kohët e errëta”, u shpreh Fatos Lubonja.


Shtuar 6.01.2020 16:42