Kush është zyrtari në takimin me Çilin?! Reagon Sokol Sadushi

Sokol Sadushi ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike ku i kërkonte të japë shpjegime publike për pozicionin e tij në lidhje me përgjimet që prokuroria e identifikon në dosjen penale si drejtues i një organi të lartë të drejtësisë, që ka premtuar favore të paligjshme për një dosje në Gjykatën e Lartë.

Reagimi i Sokol Sadushit:

Duke marrë shkas nga përmendja e emrit tim në deklarime politike të bëra këto ditë nëpërmjet medias, ndihem i obliguar të informoj opinionin publik dhe mediatik se:

Çdo pyetje retorike e shtruar këto ditë, nëpërmjet deklarimeve politike, mediatike dhe që vë në dyshim integritetin moral e profesional, duket se ka për qëllim të dëmtojë personalitetin tim, pikërisht në këtë moment që lidhet me procedurën e nisur për kandidimin si gjyqtar i Kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë.

Deklaroj me përgjegjësinë time të plotë se, me Z. Henri Çili prej shumë kohësh nuk kam pasur asnjë komunikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në ambiente publike apo private, për asnjë çështje, përfshirë ato që implikojnë personalitetin tim dhe, për më tepër, që lidhen me çështje gjyqësore penale.

Çdo deklarim i bërë ndaj personit tim mbi këtë ngjarje nuk përputhet me të vërtetën, sikurse jam i bindur se do të rezultojë në përfundim të procesit penal.

Në rrethana të tilla, kur çështja dukshëm është me interes publik, sugjeroj se nëse është i vërtetë fakti mbi takimin e realizuar me “një funksionar të lartë të drejtësisë“, do të ishte me vend që organi i prokurorisë të sqarojë opinionin publik mbi detajet e këtij takimi.

Informimi i opinionit publik i shërben, gjithashtu, ruajtjes dhe forcimit të autoritetit të pushtetit gjyqësor dhe forcon klimën e besimit në organet që ushtrojnë ndjekjen penale.


Shtuar 3.03.2020 19:44