Viktor Ymeri, një ish –anëtar i bandës së Gaxhait në Vlorë, i dënuar për dy vrasje të kryera në vitin 1999, u lirua ditët e fundit të dhjetorit nga burgu.
Gjyqtarja e Elbasanit, Enkeleda Kapedani më 27 dhjetor vendosi për lirimin e tij të menjëhershëm, me argumentin se atij duhet t’i njiheshin edhe ditët e punës që kishte kryer në burgun e Peqinit, siç rezulton nga vendimi i zbardhur, i siguruar nga Tv Klan.
Ymeri u arrestua më 29 qershor të vitit 1999 për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës.
Më 20 prill të vitit 2000 u dënua nga gjykata e Durrësit me burg përjetë, vendim që u la ne fuqi edhe nga Apeli i Durrësit një vit më pas, ndërsa gjykata e Lartë e refuzoi rekursin e kërkuar nga i dënuari.
Por 28 tetor të vitit 2015 Viktor Ymeri iu drejtua sërish gjykatës së lartë për rishikim të vendimit, e cila e ktheu dosjen në gjykatën e Durrësit.
Kjo e fundit e dënoi sërish me burg përjetë, por me 14 nëntor të vitit 2018, Gjykata e Apelit në Durrës e prishi dënimin me burg përjetë dhe e dënoi përfundimisht me 25 vjet burg, një vendim qe u dha 1 javë përpara ekzekutimit të të afërmit të tij, Edison Harizaj.
Viktor Ymeri ishte dënuar edhe ne Itali për tentativë vrasje në vitin 1996. Gjykata e Durrësit ka bashkuar vendimet dhe pasi i ka njohur përfitimet nga amnistia e ka dënuar me 23 vjet burg.
Gjykata e Elbasanit thotë se me këtë vendim dhe me njohjen e ditëve të punës, Viktor Ymeri duhet të kishte dalë nga burgu që më 4 shtator të vitit 2019.
Prokurori i çështjes e ka apeluar vendimin, por gjyqtarja Enkeleda Kapedani, ka argumentuar se ligji parashikon që pavarësisht ankimimit, Ymeri duhet të lirohej. /Panorama