Dalin pamjet, flota e Policisë së Shtetit pasurohet me 196 mjete (VIDEO)

Ditën e sotme është prezantuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” flota e re e automjetëve të Policisë së Shtetit.

Mësohet se janë 196 makina të reja, kontribut i Bashkimit Europian, që do t’i vijnë në ndihmë policisë shqiptare.

Rama falenderoi BE-në, dhe tha se ky transformim do të vijojë edhe me mjete të tjera.

“Shumë faleminderit për bashkëpunimin. Ky kontribut i përbashkët, ku padiskutim kontributi i BE është i konsiderueshëm veç kontributit të qeverisë.

Ne po e transformojmë rrënjësisht Policinë dhe vendin. Disa vite më parë ishte e paimagjinueshme. Policia e Shteti ishte në gjendje të mjerë. Flota motorike e Policisë ishte qesharake.

Sot ne ju japim të gjithë punonjësve fuqi motorike. Një flotë të tërë mjetesh që do të mundësojnë kushte optimale për operacione speciale dhe të rrezikshme. Nuk mbaron këtu.

Ne duam të shkojmë më tutje. Duam të rrisim kapacitetet teknologjike e dixhitale. Mjete më të sofistikuara, drona të fjalës së fundit”, tha Rama.

Ambasadori Soreca u shpreh se BE gjatë këtij viti do të japë 19 milionë euro për Policinë shqiptare, dhe një pjesë e tyre janë pikërisht për këto automjete. /albeu.com/


Shtuar 11.05.2020 15:27