Çifti shqiptar u vra në përvjetorin e martesës, dhëndri ishte djali i shqiptarit të njohur

Lindita Musai dhe burri i saj Veton Musai humbën jetën paraditen e 31 dhjetorit pasi u vranë nga babai i vajzës, Osman Shaptafaj, 55 vjeç.

Babai i vajzës ka shkuar në banesën e çiftit, të cilët një natë më parë kishin festuar përvjetorin e tyre të parë të martesës dhe qëlloi të bijën bashkë me të shoqin.

Pas krimit ai tentoi të vetëvritej.

Policia e Victoria në Melbourne po pret të marrë në pyetje babanë e Lindita Musai, vajzas e cila u qëllua për vdekje pranë burrit të saj Veton Musai në verandën e shtëpisë së tyre rreth orës 10.30 të mëngjesit të 31 dhjetorit.

Veton Musai, i cili ndërroi jetë disa orë pas ngjarjes, është djali i ish-kryetarit të Komunitetit Shqiptar në Australi, Alil Musai, i cili emigroi në Australi nga Maqedonia e Veriut në vitet 1980.

Lindita Musai ishte gjithashtu anëtare e komunitetit shqiptar të Melburnit.

Babai i Veton Musait, Alili, ka qenë presidenti i Komunitetit Shqiptar të Melburnit i cili në vitin 2000 mbështeti refugjatët kosovarë që kishin ikur nga lufta e Serbisë, duke u mundësuar më pas atyre kthimin e tyre në shtëpi përmes ministrit të atëhershëm të imigracionit Philip Ruddock.


Shtuar 3.01.2020 08:00