Çdo gjë online, zbardhet mënyra si do të korigjohen provimet e maturës këtë vit

Drejtorja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi ka sqaruar maturantët se si do të korrigjohen provimet e maturës shtetërore.

“Nxënësit, pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procesohet përmes skanerave”, ka thënë drejtorja.

“Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur. Sërish, bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar”, thotë znj. Vrapi.

Pasi të gjitha rezultatet të jenë publikuar, Vrapi ka deklaruar se në datën 1 korrik 2020 QSHA do të fillojë procesin e printimit të diplomave të Maturës Shtetërore, i cili do të jetë në dy faza.

Në fazën e parë, do të printohen diplomat për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Ndërsa ditët në vijim, do të mbyllet edhe procesi për pjesën tjetër të maturantëve.


Shtuar 8.05.2020 14:16