Nuk arriti objektivin në Shkodër, reagon Beqaj: I kërkoj ndjesë socialistëve

Ilir Beqaj  i renditur i katërti në listën e Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës nuk arriti dot të hynte në Kuvend.

PS mori vetëm dy mandate në këtë qark, me Beqajn që edhe me mundësinë e dytë atë të votës preferenciale nuk kishte shanse të thyente herësin duke u renditur si duputeti i tretë me më shumë vota në këtë qark.

Pas përfundimit të numërimit të votave, ish-ministri i Shëndetësisë reagon duke i kërkuar falje socialistëve që nuk arriti dot abjektivin.

Reagimi i plotë:

Të dashur banorë të Shkodrës, Malësisë së Madhe, Pukës, Vaut të Dejës dhe Fushë Arrëzit,

Liria e zgjedhjes është një parim universal i botës demokratike.

Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe ju e bëtë zgjedhjen tuaj në 25 prill 2021 dhe tashmë zgjedhja juaj është lexuar qoftë për subjektet politike, qoftë për kandidatët.

Kam disa falenderime, përgëzime, urime dhe ndjesa, të cilat të cilat po i rradhis më poshtë.

Faleminderit të gjithëve ju që morët pjesë në këtë manifestim demokracie dhe me qytetarinë tuaj kontribuat me dinjitet në një proces shumë të rëndësishëm zgjedhor.

Faleminderit gazetarëve, kameramanëve, reporterëve të mediave lokale në Shkodër për profesionalizmin dhe paanshmërinë me të cilën përcollën tek publiku aktivitetet e fushatës zgjedhore.

Faleminderit të gjithë njerëzve, sipërmarrësve, bizneseve të vogla, të vetpunësuarve, fermerëve, peshkatarëve, veteranëve, pensionistëve, personave me aftësi ndryshe, të papunëve, studentëve, mësuesve, personelit shëndetësor, operatorëve turistikë, grupeve të interesit që patën durimin të dëgjonin ofertën e PS-së për Shkodrën.

Faleminderit të gjithë kandidatëve të të gjitha subjekteve politike për garën e ndershme gjatë fushatës dhe luajalitetin në ditën e votimit dhe në procesin e numurimit sepse besoj se bashkarisht ia dolëm të tregojmë qytetarinë e Shkodrës në këtë moment shumë delikat për vendin tonë.

Faleminderit të gjithë 30,296 vajzave dhe djemve, grave e burrave votues të Partisë Socialiste në qarkun Shkodër.

Faleminderit të gjithë anëtarëve të Partisë Socialiste, patronazhistëve, simpatizantëve dhe mbështetësve tanë për energjinë pozitive të përcjellë gjatë gjithë fushatës zgjedhore.

Faleminderit kryetarëve të PS në bashkitë e qarkut.

Faleminderit kryetarëve të bashkive të qarkut, Toninit, Markut, Gjonit dhe Franit.

Faleminderit të 11 kolegeve dhe kolegëve kandidatë të listës së Partisë Socialiste për angazhimin maksimal.

Një falenderim të veçantë kam gjithashtu edhe për familjen time, vajzën dhe bashkëshorten, që më mbështetën dhe më inkurajuan papushim gjatë këtyre muajve, në këtë sfidë të vështirë zgjedhore.

Përgëzime të gjithë kandidatëve fitues nga të gjithë subjektet politike që do të përfaqësojnë qarkun e Shkodrës në Kuvendin e ardhshëm.

Urime të veçanta për Edonën, Paulinin dhe Benetin që do të përfaqësojnë socialistët e qarkut Shkodër në Kuvendin e ardhshëm.

Shqiptarët, qartësisht kanë zgjedhur Partinë Socialiste si forca progresiste, të cilës iu besua për të tretën herë vazhdimi i misionit për ndërtimin e Shqipërisë, në të cilën të rinjtë të projektojnë të ardhmen e tyre. Si shumë prej jush jam shumë i gëzuar që Partia Socialiste është forca fituese e këtyre zgjedhjeve. Por më së shumti, për vetë Shkodrën. Sepse, 4 vjeçari i ardhshëm do të jetë realisht një 4 vjeçar transformimi rrënjësor për Shkodrën.

Objektivi bazë në këto zgjedhje për Partinë Socialiste ishte 4 mandate deputetësh. Ky objektiv nuk u përmbush. Dhe unë, padyshim, kam detyrimin t’i kërkoj ndjesë sot socialistëve shkodranë.

Jam përpjekur të bëj maksimumin tim, por ja që nuk ka mjaftuar.

Sipas zgjedhjes suaj, unë nuk do të jem në Kuvendin e ardhshëm si përfaqësues i juaji. E dëshiroja shumë të kisha privilegjin të kontriboja edhe unë për Shkodrën.

Gjithsesi, Shkodra është e para.

Deputetët shkojnë e vijnë. Në fund të fundit, kjo është demokracia ku kemi vendosur të jetojmë. Kjo është demokracia për të cilën shkodranët janë martirizuar më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri. Jeta na ofron të gjithëve mundësi të pafundme për të bërë mirë dhe me përkushtim atë që mendojmë dhe besojmë se mund të bëjmë.

Me përulje dhe sinqeritet,

Ilir Beqaj


Shtuar 29.04.2021 09:47