Meta: Largimi një orë e më parë i Ramës, shpëton falimentimin e Shqipërisë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar në Facebook një grafik që sipas Indeksit Global të Inovacionit për vitin 2022, Shqipëria rendit e fundit në rajon dhe Europë.

Sipas Metës, Qeveria e Edi Ramës i ka shpallur luftë të hapur profesionistëve, dijeve dhe kërkimit shkencor dhe se largimi i tij shpëton falimentimin e Shqipërisë.

Postimi i Metës:

Qeveria e Edi Ramës i ka shpallur luftë të hapur profesionistëve, dijeve dhe kërkimit shkencor.
Prova më e qartë është Indeksi Global i Inovacionit për vitin 2022, që e pozicionon Shqipërinë të fundit të rajon dhe Europë.

Shkaqe kryesore për këtë renditje janë mungesa serioze e burimeve njerëzore dhe kërkimore, njohuritë jo të duhura teknologjike dhe sofistikimi jo efiçent i tregut. Performancën më të dobët, Shqipëria e ka sa i takon prodhimeve të dijeve dhe prodhimeve teknologjike.

Ndërkohë vendet e tjera të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina janë dhjetëra vende më lart.

Qëndrimi arrogant dhe mungesa totale e mbështetjes për universitetin, për pedagogët dhe studentët duke mos u dhënë atyre asnjë ndihmë konkrete është arsyeja e vetme për këtë situatë të rëndë.

Kjo Qeveri që është e para për korrupsionin në Europë është e fundit për inovacionin shkencor.

Ndaj vetëm largimi një orë e më parë i Edi Ramës shpëton falimentimin e Shqipërisë dhe nxit zhvillimin e shkencës dhe të ekonomisë./albeu.com


Shtuar 27.02.2023 09:58