Ministri i Shëndetësisë jep detaje: Të prekur nga koronavirus një çift nga Shkupi

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, sot në konferencë për shtyp ka dhënë detaje në lidhje me tre rastet e reja të prekur nga koronavirusi.

Ai tha se të tre pacientët janë nga Shkupi dhe bëhet fjalë për një çift bashkëshortor dhe një pacient tjetër, shkruan Telegrafi Maqedoni.

“Të tre pacientët janë nga Shkupi. Bëhet fjalë për një çift të cilët janë testuar në Klinikën Zhan Mitrev, ndërsa materialin për testim e ka sjellë një anëtar i familjes. Pacienti i tretë është gjithashtu nga Shkupi, i cili simptoma ka pasur një javë më parë, ndërsa të gjithë personat me të cilët ka kontaktuar janë lokalizuar dhe presim rezultatet e tyre”.

“Gjendja e të gjithë pacientëve është stabile, po ashtu edhe e asaj që i është vendosur makineri respiratore. Për momentin të regjistruar janë gjithsej 26 pacientë. Këtë mëngjes janë testuar 10 pacientë. Çifti bashkëshortor akoma ndodhet në kurim shtëpiak, ndërsa gjatë ditës do të shtrohen në Klinikën për Sëmundje Infektive”, tha Filipçe.

Ai shtoi se duke pasur parasysh të dhënat e pacientëve tashmë të sëmurë, pritet që numri i të infektuarve të rritet në periudhën e ardhshme.

Filipçe sërish bëri thirrje për zbatimin e masave qeveritare, si dhe ftoi qytetarët për vetë-izolim.

“Në lidhme me 200 qytetarët të cilët ishin të bllokuar nëpër kalime kufitare, ata do të vendosen në një karantinë grupore në kazermën Krivollak”, tha Filipçe.


Shtuar 17.03.2020 13:50