BESA mbështet Zaev për t’u bashkuar me VMRO-në kundër kryeministrit shqiptar (VIDEO)

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në një debat televiziv deklaroi se ai do të jetë kryeministri i ardhshëm në Maqedoninë e Veriut dhe nëse BDI vazhdon ta kushtëzojë postin e kryeministrit me Naser Zyberin, ai do të jetë i gatshëm të shkëmbejë deputetë edhe me VMRO-DPMNE-në që BDI të mos jetë në qeveri.

-“Unë do të jem kryeministri i ardhshëm me ata që do të bëjmë shumicë parlamentare. Nëse është ky kusht që të jemi me BDI-në nuk do të negociojmë me BDI-në”, shprehet Zaev.

Gazetari: Kurse me VMRO-DPMNE-në?

-Jam i gatshëm të shmangem, duke biseduar me deputetët tanë, 13 deputetë nga zotëri Mickoski, sepse aq i duhen për 61 deputetë, ai të formojë qeveri të pakicave, ose do të kërkojë nga ai të mi japë 6, sepse aq na duhen neve, që të mund të formojmë qeveri të pakicave”.

Por me Zaevin nuk pajtohet as Mickoski.

“Matematikën nuk e keni mirë. Gjegjësisht vetëm dy operacione i keni mirë këtu. Ata janë shumëzimi dhe mbledhja kur bëhet fjalë për ju personalisht, por kur bëhet fjalë për popullin, ajo është ndarje dhe marrje. Por, matematikën lërjani matematikanëve. Kjo matematikë është e mirë për organizatat komunale të LSDM-së, por pas 15 korrikut VMRO-DPMNE-së nuk do t’i duhen më shumë se 1 ose 2 deputetë nga koalicioni “Mundemi” që të formojë qeveri me legjitimitet të plotë”, tha Hristijan Mickoski.

Për deklaratën e Zaevit TV21 pyeti edhe partnerin e koalicionit të LSDM-së, Lëvizjen BESA. Arijanit Hoxha nuk sheh problem te deklarata e Zaevit, por te mënyra se si BDI e ka paraqitur idenë e kryeministrit shqiptar.

“Mënyra se si imponohet në skenë propozimi nga ana e BDI-së dhe atë jo kur janë shpall zgjedhjet më 12 prill, por tash, është thjeshtë një retorikë për të shpëtuar veten nga rënia të cilën e shohim për çdo ditë”, tha Arijanit Hoxha, SP i Lëvizjes Besa.

Komentuan edhe nga BDI. Zëdhënësi Bujar Osmani thotë se deklarata e Zaevit është retorikë parazgjedhore dhe mund të ndryshojë pas 15 korrikut.

“Sa fjalime të tilla kemi dëgjuar para çdo zgjedhje, para zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit, para ndryshimit të Kushtetutës, para Ligjit të gjuhëve, para çdo arritjeje tona. Por, atë që kemi premtuar ne edhe e kemi realizuar. Prandaj po them, ata po bëhen promotorët më të mëdhenj të kësaj ideje. Po bien maskat çdo ditë e më tepër”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Ideja për shkëmbimin e deputetëve mes Zaevit dhe Mickoskit erdhi pasi BDI e ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj me realizimin e idesë së tyre që kryeministri i ardhshëm të jetë, Naser Zyberi.


Shtuar 1.07.2020 18:58