Çfarë duhet bërë ditën për të fjetur më mirë natën

Mungesa e gjumit me kalimin e kohës mund t’ju kushtojë. Këtë ndryshim midis gjumit të nevojshëm dhe të realizuar mund ta zvogëloni dhe ta kompensoni me rënien e mëhershme në gjumë. Provoni çdo natë të shkoni më herët në gjumë dhe sigurisht do ta ndjeni ndryshimin.

Ushtroni gjatë ditës, për të fjetur gjatë natës. – Ushtrimi i rregullt mund t’ju ndihmojë të flini më mirë. Për rezultatet më të mira, ushtroni para darke, mundësisht në ajër të pastër. Gjithsesi shmangni trajnimet intensive para se të shkoni në gjumë. Në mbrëmje ushtroni joga ose bëni ushtrime të zgjatjes. Nëse keni problem shëndetësor ose më shumë se 50 vjet, bisedoni me mjekun tuaj për ushtrimet adekuate.

Zgjidhni me mençuri ushqimet e pasdites. – Bollguri, rrushi i thatë dhe një gotë qumësht mund t’ju ndihmojnë që të flini më lehtë. Ky lloj i darkës apo mëngjesit të vonshëm përmban karbohidrate komplekse të cilat sigurisht do ta rrisin përgjumjen tuaj. Mund ta hani edhe një pjesë tosti nga gruri i integruar ose një tas të vogël me drithëra.

Respektojeni orarin. – Një njeri mesatar ka nevojë për 7-9 orë gjumë. Shumica e ekspertëve rekomandojnë mbajtjen e një orari stabil të gjumit, madje edhe kur mund të flini më shumë. Kjo e ekuilibron orën tonë të brendshme duke na lejuar të qëndrojmë të zgjuar kur kemi nevojë dhe të flemë kur duam. Dhoma e gjumit duhet të ajroset, të jetë më e freskët, e qetë dhe pa burime shtesë të dritës, transmeton Koha.net.

Ajrosni mendimet. – Mundohuni ta pastroni trurin e ngarkuar nga mendimet, shqetësimet dhe obligimet. Në kohën tuaj të lirë, planifikoni të nesërmen, kontrolloni e-mailin dhe përfundoni punët e planifikuara. Në këtë mënyrë do ta eliminoni stresin dhe anksiozën, dhe më lehtë do t’ju zërë gjumi.

Pushimi i pasdites duhet të jetë i shkurtër. – Nëse flini mirë gjatë natës, nuk do të duhej të ndiheni të lodhur gjatë ditës. Nëse ndjeni nevojë për pushim, gjithsesi dremitni, por mos e teproni. Dremitja mund ta rikthejë energjinë, ta ulë presionin e gjakut, dhe madje edhe ta zgjat jetën. Shmangni pushimet e vona pasdite për shkak se ato mund të ndikojnë në gjumin e natës. Nëse keni probleme me gjumin gjatë natës, shmangni pushimin gjatë ditës.

Shmangni kafeinën para gjumit. – Kafeina mund t’ua çrregullojë gjumin prandaj shmangeni konsumin e saj madje edhe pas drekës. Kafeina në trup mbetet mesatarisht prej 3-5 orë, ndërsa tek disa njerëz madje edhe deri në 12 orë. Zgjidhni me kujdes ushqimin dhe pijet e pasdites. Kafeina mund të fshihet në pijet joalkoolike, në çaj dhe çokollatë. Gjithashtu kini kujdes me ilaçet e caktuara, si dekongjestantët, sepse ato mund ta përkeqësojnë problemin me gjumë.

Trajtimet natyrale për gjumë më të mirë. – Qetësoni trupin dhe përgatiteni atë për gjumë me një filxhan çaji të kamomilit ose provoni aromaterapi. Hulumtimet kanë treguar se livando e ka një efekt relaksues dhe qetësues. Nëse merrni ilaçe, bisedoni me mjekun tuaj fillimisht.

Ushtrimet e relaksimit. – Në orët e vona të mbrëmjes, vizualizoni diçka qetësuese, duke i përdorur të gjitha shqisat tuaja për ta përjetuar vizualizimin sa më realisht. Provoni edhe relaksimin progresiv të muskujve. Tërhiqni këmbët drejt jush dhe forconi muskujt e këmbëve për disa sekonda. Pastaj relaksoni ato për 30 sekonda. Fokusohuni në relaksim. Përsëriteni këtë ushtrim me të gjitha muskujt në trup dhe përfundoni me fytyrën dhe muskujt e kokës dhe qafës.

Largoni dhimbjen. – Sipas hulumtimit, tre të katërtat e njerëzve me dhimbje të shpinës vuajnë nga pagjumësia ndërsa gjumi i dobët e redukton energjinë gjatë ditës. Konsultohuni me mjekun dhe merrni tableta kundër dhimbjes për ta parandaluar rrethin vicioz të dhimbjes dhe pagjumësisë.

Dëgjoni këshillat e mjekëve. – Nëse keni probleme me gjumin, dhe asnjë strategji nuk ju ndihmon, atëherë mund të keni çrregullim të gjumit. Mjeku mund t’ju ndihmojë në zgjidhjen e problemit dhe t’ju japë këshilla për ta përmirësuar cilësinë e gjumit.


Shtuar 4.07.2020 21:02