Torturoi gjer në vdekje dy motrat e mitura, 64 vite burg për lideren e kultit fetar

Një grua, e cila e konsideronte veten si udhëheqëse shpirtërore të një kulti fetar në Kolorado të SHBA-së është dënuar me 64 vjet burg pasi u shpall fajtore për vdekjen e dy vajzave të vogla, që u privuan nga ushqimi dhe uji, sepse mendohej se ishin “të papastra”.

40-vjeçarja, Madani Ceus, u dënua të premten e kaluar ndërsa mbi atë rëndojnë dy akuza të abuzimit të fëmijëve, duke pasuar vdekjen e tyre.

Dy motrat, Makayla Roberts, 10-vjeçe dhe Hannah Marshall, 8-vjeçe, u gjetën të pajeta brenda një automjeti të parkuar në një fermë në qytetin e Norwood në verën e vitit 2017.

Hetuesit besojnë se Ceus, deklaroi se dy vajzat ishin “të pushtuara nga shpirtra të ligj” gjatë një jete të kaluar dhe i porositi që të dëboheshin në një makinë, pasi pjesa tjetër e kultit po priste apokalipsin para eklipsit diellor të vitit 2017.

Vajzat besohet se vdiqën nga uria, nxehtësia dhe dehidratimi, pasi trupat e tyre u konstatuan pjesërisht të mumifikuara në kohën kur u gjetën dy javë pasi kishin vdekur.

As patologët nuk kanë arritur ta përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes së dy motrave të mitura.

Sherifi i Qarkut San Miguel, Bill Masters tha pas dënimit:

Më 37 vitet e mia si sherif, unë kurrë nuk kam parë ndonjë gjë kaq mizore dhe të pashpirtë si kjo.
Nëna e dy fëmijëve, Nashika Bramble, 39 vjeç, u dënua për vrasje të shkallës së parë dhe u dënua në shtator 2019 me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht.

Burri i Ceus, Ashford Archer, u dënua për dy akuza për abuzim fatal të fëmijëve dhe një akuzë se ishte një pjesë e një krimi dhe u dënua me 24 vjet burg.

Frederick ‘Alec’ Bler, 25 vjeç, i cili kishte në pronësi fermën ku vdiqën fëmijët, arriti një marrëveshje me prokurorët dhe u deklarua fajtor për akuzën shtesë. Ai u dënua me 12 vjet burg.

Bler tha që Ceus u tha të tjerëve që ta quanin “Ama” ose “Yahweh”, duke ua mbushur mendjen që ata ishin në një mision për të gjetur ëngjëllin Mikael.


Shtuar 25.06.2020 07:33