Shqiptari humb jetën në burgun francez, familjarët: E kanë torturuar

Një 36-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë më 1 shkurt teksa ndodhej në qeli në një burg në Francë. Autoritetet franceze u kanë thënë se Mentor Rexha është vetëvrarë, por familjarët në një komunikim ekskluziv me Shqiptarja.com ngrenë dyshime se i afërmi i tyre mund të jetë torturuar pasi kanë parë shenja dhunë në fytyrë, trup dhe një të çarë në kokë. Familjarët thonë se janë njoftuar me vonesë për lajmin tragjik, dhe jo nga burime zyrtare, ndërsa vetëm ditën e djeshme janë lejuar të shohin trupin e pajetë në morg, ku kanë konfirmuar se është i afërmi i tyre.

Mentor Rexha, lindur në Lezhë dhe me banim në Shkodër, siç bëjnë të ditur familjarët e tij për Shqiptarja.com, një vit më parë ka shkuar në Francë si emigrant për të pasur një mundësi më të mirë ekonomike. Në Francë, Rexha ka aplikuar për procedurat e marrjes së statusit të azilantit.

Por ndërkohë, autoritetet franceze e kanë arrestuar dhe e kanë burgosur në burgun e Lorentit, pas një ngjarje ku ranë në pranga edhe disa shqiptarë të tjerë. Sipas familjarëve bëhet fjalë për djegien e disa automjeteve ku kanë akuzuar 36-vjeçarin, ndërkohë që në të gjitha telefonatat e kryera me familjen, Rexha shprehej se është i pafajshëm dhe e mbajnë në qelinë e paraburgimit pa të drejtë.

Sipas rrëfimit të familjarëve për Shqiptarja.com Mentor Rexha ka qëndruar disa muaj në burg teksa ndodhej në proces gjyqësor, por javën e fundit ka humbur çdo kontakt me familjarët, duke mos i telefonuar nga burgu.

Natën e 1 shkurtit ai është gjetur i vdekur në dhomën e izolimit, por familjarët thonë se e kanë mësuar këtë lajm tragjik, dy ditë më vonë, jo nga shteti francez, por nga shokë të Rexhës të cilët ishin në të njëjtin burg me të. Pasi janë njoftuar në mënyrë jo zyrtare, familjarët (vëllai dhe motra e 36-vjeçarit) kanë shkuar në Francë për të parë me sytë e tyre se lajmi tragjik për ndarjen nga jeta të Mentor Rexhës ishte i vërtetë. Atje i kanë kërkuar të firmosin disa dokumente, por vëllai e motra nuk kanë pranuar pa parë trupin e vëllait të tyre.

Të afërmit e Mentor Rexhës, thonë se pas këmbënguljes së familjarëve, vetëm ditën e djeshme (8 shkurt), ata janë lejuar të shohin trupin e pajetë në morg, ku kanë konfirmuar se fatkeqësisht ishte vëllai i tyre, Mentor Rexha.

Familjarëve të tij fillimisht u është thënë se 36-vjeçari ka bërë vetëvrasje. Ata pretendojnë se Rexha nuk është vetëvarur, pasi ka shenja dhune në fytyrë dhe në trup “saqë familjarët janë tmerruar”. Motra dhe vëllai, duke mos besuar versionin e autoriteteve franceze, i kanë bërë edhe foto të ndjerit, dhe thonë se ai ka hematoma në kraharor, një shenjë litari në fyt, por edhe një të çarë në kokë, që i bën ata të dyshojnë se e vërteta nuk është aspak siç po u paraqitet. Përmes një avokati që ata po përpiqen të marrin, do të kërkojnë autopsinë për të zbuluar se çfarë ndodhi me vëllain e tyre.

Të afërmit, në një bisedë me Shqiptarja.com thanë se ishte një telefonatë e ardhur nga burgu, nga shoku i Mentorit, që i tha se atë e nxorrën të pajetë nga qelia dhe se nuk dinin asgjë më shumë. Për ditë të tëra në ankth, familjarët nuk morën asnjë njoftim zyrtar, as nga ambasada shqiptare në Francë, duke u detyruar të udhëtojnë vet drejt shtetit francez për të mësuar të vërtetën.

“Këto shenja tregojnë se atë e kanë masakruar dhe e kanë mbytur në burgun e Francës. Familjarët kanë kërkuar edhe një herë t’i bëhet ekspertiza por shteti ka thënë jo, se është vetëvrasje. Kjo nuk është një vetëvrasje pasi ato shenja një njeri nuk mund t’ia bëje vetë vetes , ajo duket më së miri se atë e kanë mbytur. Dhe këtu lind dhe dyshimi sepse ata nuk kanë lejuar ta shohin, sepse në fakt ekspertiza apo fjalët që kanë thënë ata kanë qenë të gabuara”, thonë familjarët.

Trupi i pajetë i shqiptarit ende nuk është sjellë në Shqipëri, ndërsa familjarët bëjnë apel që shteti të ndërhyjë dhe t’i ndihmojë me procedurat, por edhe me zbardhjen e të vërtetës për ndarjen nga jeta të Mentor Rexhës.

“Ata si shtet duhet të kryejnë të gjithë detyrimet e duhura dhe jo vetëm shteti i Francës por dhe shteti ynë duhet të përgjigjet. Të përgjigjet si në anën e drejtësisë dhe me anën materiale, ato që i takojnë. Nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë në Francë, marrim lajme nga më të ndryshmet për vdekjet e shumë të pafajshmëve, e sidomos të shqiptarëve.

Me një pikëllim të madh dhe të tmerruar nga kjo ngjarje ne duam dhe që të jemi të bashkuar, gjithashtu dhe shteti ynë të jetë më i fortë, sepse ashtu si Franca mbështet vendin e vet dhe mundohet të mbulojë gjithçka, ashtu edhe shteti shqiptar duhet të kërkojë të drejtat e tij. Ne duhet të jemi të bashkuar dhe të ndihmojmë njëri- tjetrin në këto raste të vështira”, thonë familjarët për Shqiptarja.com.


Shtuar 9.02.2020 13:29