Sarri bën publike listën për finalen ndaj Napolit, grumbullon dhe sulmuesin shqiptar

Juventusi ditën e nesërme (21:00) luan finalen e Kupës së Italisë kundër Napolit. Që nga ardhja e sulmuesit të kombëtares sonë, trajneri Sarri e ka marrë shumë shpesh

Vrionin në skuadër dhe duket se 22-vjeçari ka lënë përshtypje pozitive te italiani.

Këtë ide e përforcon akoma më shumë lista e lojtarëve për ndeshjen finale të Kupës së Italisë.

Xhakomo Vrioni është në listën e të zgjedhurve dhe ditët e fundit ka kryer përgatitjet me skuadrën e parë bardhezi. Mbetet të shihet nëse Vrioni do të arrijë të marrë sadopak minuta nesër. Ai erdhi në janar në Torino si lojtar për ekipin, por mungesa e qendërsulmuesve në ekipin e parë e ka favorizuar të bashkohet shpesh me djemtë e Sarrit.

Ndalesa për shkak të pandemisë nuk e la të tregojë aftësitë e tij, por duket se në rinisje fati është me të dhe minutat e para në ekipin e parë bardhezi janë në horizont. Ndërkohë, nesër në anën tjetër luan Elseid Hysaj dhe për tifozët shqiptarë është e sigurt se një lojtar kuqezi do të ngrejë trofeun e dytë për nga rëndësia në Itali.


Shtuar 16.06.2020 17:35