Policia me “dorë të hekurt”, gjobit 19 biznesmenë pasi nuk mbyllën muzikën pas orës 20:00

Policia e Shtetit vijon kontrollet për respektimin e protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Policia e Shtetit ka gjobitur me nga 1 milion lekë, 19 subjekte që ushtronin aktivitet të shoqëruar me muzikë apo që nuk respektonin protokollet e sigurisë.

Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, krahas kryerjes së detyrave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet intensive për zbatimin e masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme në subjekte të ndryshme, në zbatim të Akteve Normative, gjatë fundjavës janë ndëshkuar me nga 1 milion lekë, 11 administratorë lokalesh që janë konstatuar duke ushtruar aktivitet me muzikë pas orës 20.00 apo nuk kanë respektuar protokollet e sigurisë, konkretisht:

7 lokale në Tiranë, 4 në Durrës, 4 në Lezhë, 3 në Vlorë dhe 1 në Korçë.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.


Shtuar 27.07.2020 13:25