PD akuza qeverisë për testet: Laboratori i QSUT e nxorri negativ, tek privati doli pozitiv

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka bërë një postim në rrjetin social Facebook ku ka denoncuar një rast të personelit shëndetësor në QSUT, i cili është testuar tek laboratori i këtij spitali dhe ka dalë negativ.

Ndërsa ka përsëritur testin serologjik tek Spitali Amerikan dhe ka dal pozitiv.

Spahia ngre pyetjen se si ka mundësi që i njëjti test del me rezultate të ndryshme në dy laboratorë të ndryshëm. Ndërsa thekson se Shqipëria mbetet vendi me numrin më të ulët të testeve në rajon, edhe ato me rezultate të dyshimta.

Postimi i plotë

Pas tamponëve që nuk japin rezultatin e saktë, vijnë denoncime edhe për testet serologjike! Ka ndodhur tek personeli shëndetësor i vetë laboratorit të QSUT! Një anëtar i këtij personeli testohet tek laboratori i QSUT dhe del negativ. Përsërit testin serologjik tek spitali amerikan dhe del pozitiv!!!!

A kemi problem me procedurat e testimit apo kitet e përdorura? Si ka mundësi që i njëjti test del me rezultate të ndryshme në dy laboratorë të ndryshëm?

A kemi një situatë edhe me testet serologjike, si me tamponët që rezultojnë fals negativë? Pse vazhdon mungesa e transparencës për këtë situatë?

Kjo qeveri nuk i është përgjigjur asnjëherë pyetjes, se a po përdor testet e marra nga Kina të cilat, për shkak se nxirrnin rezultat fals, u kthyen mbrapsht nga Spanja e para e më pas vende të tjera të Europës!

Akoma më serioze është situata, pasi mbetemi vendi me numrin më të ulët të testeve në rajon, edhe ato me rezultate të dyshimta!

Serbia: 80 519 teste/1 milionë banorë
Mali i Zi: 58 515 teste /1 milionë banorë
Maqedonia e Veriut 51 300 teste /1 milionë banorë
Bosnje Hercegovina: 43 910 teste /1 milionë banorë. Shqipëria: 13 033 teste/1 milionë banorë


Shtuar 5.08.2020 10:24