Pak orë na ndajnë nga manifestimi, Meta ka një tjetër mesazh: Zëri i popullit është zëri i Zotit

Teksa sot pritet të ndodhë tubimi i shumëpritur i thirrur nga presidenti Meta, ky fundit ka bërë një tjetër mesazh në rrjetet sociale.
Dy marsi përkon dhe me përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, e pikërisht Meta ngre zërin për një besëlidhje të re.

“Zëri i popullit është zëri i Zotit! Erdhi koha të dëgjohet sa më fort!
Mirësevjen BESËLIDHJA E RE me Pranverën Kuqezi!”, shkruan Meta.

Postimi i plotë i Metës
Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, siç me të drejtë ka thënë Fan Noli, do të mbetet shqiptari më i gjallë ndër të gjallët, figura më shpëtimtare dhe më frymëzuese për mbijetesë e kombit tonë, që testament na ka lënë domosdoshmërinë e bashkimit në momentet më të rrezikshme të ekzistencës së kombit tonë.

Sot në përkujtim të ngjarjes historike të Besëlidhjes së Lezhës, unifikimit kombëtar përballë rrezikut të asimilimit e shkombëtarizimit, mesazhi që na sjell nga historia, uroj të na ndihmojë ne të gjithëve për reflektuar, për t’u ngritur dhe bashkuar sa nuk është vonë, në një Besëlidhje të re, po aq të fortë e gjithëpërfshirëse, përballë një rreziku të ri pushtimi nga një sekt mafioz, pa fe, pa familje, pa atdhe, që ka marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari!

Zëri i popullit është zëri i Zotit! Erdhi koha të dëgjohet sa më fort!

Mirësevjen BESËLIDHJA E RE me Pranverën Kuqezi! 🇦🇱


Shtuar 2.03.2020 08:24