Mustafa Nano: Rama kryeministër i mirë për kohë lufte, por duhet të ikë kur ka paqe

Analisti dhe gazetari Mustafa Nano ka komentuar në TemA TV në lidhje me qeverisjen e Kryeministrit Rama.

Nano tha se përvoja ka treguar se Rama e luan mirë rolin e tij në situata “lufte” por në paqe jo.

“Në të vërtetë, të gjitha qeveritë po bëjnë të njëjtat ndërhyrje. Sigurisht ne shqiptarët jemi më të prirur t’i imitojmë italianët. Në këtë kuptim nuk shoh ndonjë gjë të keqe.

Rama vazhdon të jetë protagonist steril. Unë te ai shoh një personalitet të dyzuar. Mund të mendohet se ky protagonizëm është i dobishëm në këtë situatë, nëse dalim mirë prej saj.

Në situata paqeje, ai nuk funksionon. Në rrethana lufte, nuk kam shumë kritika. Sa herë ka të tilla, mendoj se i duhet dhënë një rol i tillë. Me të ikur situata, duhet të ikë dhe të vijë një tjetër”, tha Nano.

Gazetari Nano e sheh të nevojshme heqjen e masave kufizuese dhe rikthimin në normalitet, duke ruajtur distancimin social.

“Mendoj se ka ardhur koha të zhbëhet karantina dhe të hyjmë në një fazë tjetër. Në Itali po diskutojnë ta zhbëjnë dhe të ndezin motorët e ekonomisë. Këtu është shpresa e punësimit. Unë nuk pres që kjo histori të vazhdojë dhe ne të jemi të lumtur”, tha Nano.

Sa u takon ndryshimeve të paralajmëruara nga kryeministri Rama në Kodin Penal dhe Civil, Nano tha se ështe e pamundur të aplikohen.

“Nuk kanë për të gjetur zbatim. E shoh të pamundur të aplikohen, më duken masë qesharake. Shqipëria si shumë vende fqinje në Ballkan duhet t’i kthehen jetës normale.

Ekonomia duhet të rivihet në punë. Thjesht duhet respektuar mbajtja e distancës. Nuk e shoh zgjidhjen te burgjet. Nuk e kam dëgjuar nga asnjë kryeministër tjetër në vende me demokraci normale”, tha ai.


Shtuar 10.04.2020 08:03